Sport dhe turizëm, qeveria miraton rregullat e reja, ja si do të financohen kampionatet ndërkombëtare në Shqipëri

Sport dhe turizëm

Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar mekanizmin e ri ligjor për financimin e ngjarjeve të mëdha sportive, duke i trajtuar ato jo thjesht si gara fizike, por si asete strategjike për turizmin dhe ekonominë e vendit.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e procedurave dhe kritereve për financimin e aktiviteteve sportive me karakter ndërkombëtar. Risia e këtij vendimi qëndron te kushti kryesor: aktiviteti duhet të ketë impakt të matshëm social, kulturor, ekonomik dhe turistik.

Kush mund të përfitojë fonde?

Sipas vendimit, të drejtën për të aplikuar për fonde shtetërore e kanë subjektet vendase ose të huaja, të cilat plotësojnë disa kritere strikte:

Aktiviteti duhet të jetë i certifikuar nga federata ndërkombëtare përkatëse.

Organizatori duhet të ketë përvojë të mëparshme në evente të ngjashme.

Duhet të provohet se aktiviteti sjell delegacione të huaja, ekspozim mediatik ndërkombëtar për Shqipërinë dhe përfitime turistike.

Procedura e “sitës”

Aplikimet do të shqyrtohen nga një Komision Ad-Hoc vlerësimi (me 5 anëtarë) pranë ministrisë përgjegjëse për sportin. Ky komision ka afat 30 ditë për të shqyrtuar dosjen, për të negociuar kontratën dhe për t’i propozuar Ministrit miratimin ose refuzimin e financimit.

Shteti paguan edhe tarifat e licensimit (“fee”)

Një detaj i rëndësishëm në vendim është pika që lejon Ministrinë të paguajë tarifat e pjesëmarrjes apo të drejtat e organizimit (të njohura si “fees”). Kjo është thelbësore për evente të niveleve të larta (si p.sh. Formula 1, Kampionate Evropiane Futbolli/Peshëngritjeje, etj.), ku shpesh kërkohet një pagesë paraprake për të drejtën e pritjes së kompeticionit.

Pagesat do të kryhen me faturë të rregullt, ndërkohë që një grup monitorimi prej 3 anëtarësh do të mbikëqyrë nëse paratë po shkojnë aty ku duhet.

Vendimi saktëson se aktivitetet që janë parashikuar tashmë në Buxhetin e vitit 2025 do të financohen sipas kësaj procedure të re, duke i hapur rrugë lëvrimit të fondeve përmes Thesarit apo bankave të nivelit të dytë për eventet e planifikuara për vitin e ardhshëm.