Spitali Rajonal i Shkodrës në gatishmëri për festa / Drejtoria e spitalit garanton shërbim të pandërprerë për qytetarët
Spitali Rajonal i Shkodrës ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve gjatë festave të fundvitit.
Drejtori i spitalit Senad Halluni, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se janë marrë masa organizative dhe strukturore për të përballuar situatën.
Drejtori Halluni theksoi se fluksi më i lartë i pacientëve pritet të jetë në shërbimin e Urgjencës, i cili do të funksionojë 24 orë në 24, me kapacitete të plota për të përballuar çdo rast që paraqitet.
Ky plan synon garantimin e shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe me cilësi për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen këtij institucioni gjatë këtyre ditëve.
Drejtuesit e spitalit u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rastet urgjente, t’i drejtohen menjëherë Urgjencës, ndërsa për problematika më të lehta shëndetësore të ndjekin këshillat e mjekëve të familjes, për të shmangur mbingarkesën e panevojshme të shërbimeve.

