Spitali i ri i Kardiokirurgjisë në QSUT drejt përfundimit, Rama: Premton mbi 1000 ndërhyrje në vit me teknologji moderne

Punimet në kantierin e spitalit të ri të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) në Tiranë janë drejt përfundimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm për sistemin shëndetësor shqiptar.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se “spitali i ri i Kardiokirurgjisë do të ketë aparatura moderne dhe ekipe të specializuara për zemrën, enët e gjakut dhe reanimacionin.”
Ai theksoi se ky spital do të jetë i aftë të kryejë mbi 1000 ndërhyrje në vit dhe do të punësojë 112 mjekë profesionistë të përkushtuar, duke ofruar shërbim urgjence 24/7.
“Në këtë spital do të kryhen ndërhyrjet më të ndërlikuara të kardiokirurgjisë kongjenitale neonatale dhe pediatrike, si të planifikuara ashtu edhe urgjente, duke garantuar kujdes të specializuar dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh Kryeministri.
Dje, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, inspektoi nga afër godinën, e shoqëruar nga drejtuesja e QSUNT-së, Donjeta Bali, dhe një grup mjekësh të njohur të kardiokirurgjisë.
Godina e re ka një sipërfaqe ndërtimi prej 4000 metra katrorë, me një shtesë prej 500 metra katrorë. Dizajni i saj është menduar për të ofruar funksionalitet maksimal:
Kati i parë: Do të shërbejë kryesisht për studentët dhe stafin pedagogjik, duke ofruar shërbime për rritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe për logjistikën teknike.
Kati i dytë: Do të jetë i dedikuar shërbimit të kirurgjisë vaskulare.
Kati i tretë: Përmban bllokun operator, i cili është zgjeruar nga katër në pesë salla operatore, duke krijuar kushte më optimale për ndërhyrjet kirurgjikale. Po në katin e tretë ndodhet edhe shërbimi i kujdesit intensiv, apo reanimacioni, për menaxhimin e rasteve me vështirësi në trajtim.
Hapja e këtij spitali të ri pritet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet kardiokirurgjikale në vend, duke ofruar kujdes shëndetësor.