Spiropali pret gazetarët: Shqipëria në Europë, zgjedhja jonë e vetme. 2026-ta vit sfidash, fuqizojmë Diasporën
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka deklaruar se viti 2026 do të jetë viti i mundësive dhe sfidave, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Në pritjen e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Spiropali u shpreh se rruga e Shqipërisë është ajo drejt integrimit në BE.
“E gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës. Rruga jonë europiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Europë”, tha Spiropali.
Sipas ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.
Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.
“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, u shpreh Spiropali.
Sipas Spiropalit, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin mes autoritet shtetërore. Ajo theksoi se janë krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë
“Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi ministrja e Jashtme.
Spiropali ndau bindjen se ligji i ri për shërbimin e jashtëm, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do të vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.
“Në 2026-n, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë europiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.
