Spiropali në SEECP: Kryesimi i Shqipërisë, tjetër hap drejt integrimit evropian dhe forcimit të paqes në rajon

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes së Sesionit XII të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), u ndal te arritjet e Shqipërisë gjatë kryesimit të këtij Procesi, që ka nisur në qershor të vitit 2024 dhe do të përfundojë në korrik të vitit 2025.
Spiropali theksoi se bashkëpunimi i vendeve të SEECP mbetet një mundësi e madhe për avancimin e arritjeve të vendeve të rajonit, duke synuar paqen, bashkëpunimin dhe forcimin e institucioneve demokratike për të përballuar sfidat që i shtrohen rajonit dhe më gjerë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij procesi për nxitjen e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në arritjet e çdo vendi kandidat.
“Ky sesion zhvillohet në një moment të rëndësishëm historik për Shqipërinë. Më 16 maj, u mbajt në Tiranë Komuniteti Politik Europian, një ngjarje e rëndësishme që tregoi angazhimin e Shqipërisë për paqen dhe bashkëpunimin rajonal dhe evropian. Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që organizoi një samit të tillë,” u shpreh Kryeparlamentarja.
Për më tepër, Spiropali njoftoi se më 11 qershor, në Odesa do të mbahet Samiti i Europës Juglindore dhe Ukrainës, ku të gjitha vendet pjesëmarrëse do të kontribuojnë për forcimin e paqes, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë.
Në fjalimin e saj, Spiropali vuri në dukje se Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë dhe të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konsolidimit të vlerave europiane, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtat e pakicave, modernizimin e sistemit politik, forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Ajo theksoi gjithashtu objektivin strategjik të Shqipërisë për të mbyllur negociatat për anëtarësimin në BE deri në vitin 2027 dhe për të u anëtarësuar plotësisht deri në vitin 2030. Ky objektiv ka gjetur mbështetje të fuqishme në parlamentin shqiptar dhe Komisionin Europian, si dhe është mirëpritur nga shtetet anëtare të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, përfshirë Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë dhe Slloveninë.
Spiropali shprehu besimin e saj se Shqipëria do të arrijë të hapë të gjitha kapitujt e negociatave deri në vitin 2025 dhe të bëjë përparime të dukshme në procesin e integrimit evropian.