Spanja ndalon mediet sociale për të miturit nën 16 vjeç
Spanja po planifikon të ndalojë mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç, duke kërkuar që platformat të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës. Vendimin e bëri të ditur kryeministri Pedro Sanchez në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.
“Fëmijët tanë po ekspozohen ndaj një hapësire në të cilën nuk duhet të kishin qenë kurrë vetëm… Ne nuk do ta pranojmë më këtë. Ne do t’i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër dixhital”, tha Sanchez.
Ai shtoi se qeveria e tij do të paraqesë gjithashtu një projektligj të ri javën e ardhshme, i cili do t’i mbajë përgjegjës drejtuesit e mediave sociale për përmbajtje të paligjshme dhe urrejtëse.
Në dhjetor, Australia u bë vendi i parë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Zbatimi i kësaj mase po monitorohet nga afër nga vende të tjera, të tilla si Britania dhe Franca, të cilat po shqyrtojnë marrjen e masave të ngjashme bazuar në moshë.
