Spanja kundërshton kërkesën e NATO-s: E paarsyeshme rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të PBB

Pedro Sanchez

Spanja hodhi poshtë kërkesën e NATO-s për të shpenzuar 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. “Për Spanjën, angazhimi për një objektiv prej 5 për qind jo vetëm që do të ishte i paarsyeshëm, por edhe joproduktiv”,  thuhet në një letër të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez drejtuar Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte para samitit të Aleancës në Holandë.

Takimi i 24-25 qershorit në Hagë vjen në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump, kërkon që anëtarët e tjerë të NATO-s të shpenzojnë më shumë  për mbrojtjen, ndërsa Evropa përballet me luftën e ashpër të Rusisë në Ukrainë. 

Gjermania dhe Polonia janë ndër vendet që mbështesin objektivin e ri prej 5 për qind. Sanchez tha se çdo anëtar i NATO-s duhej të investonte shuma të ndryshme për të përmbushur objektivat e tyre ushtarake, ndërsa vlerëson se 2.1 për qind do të ishte e mjaftueshme për vendin e tij.

“Spanja nuk dëshiron të kufizojë ambiciet e shpenzimeve të aleatëve të tjerë të NATO-s, por kërkon një formulë më fleksibile në samit”, shtoi kryeministri spanjoll. Nga 32 vende të aleancës ushtarake, Spanja është vendi me shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen, pasi harxhon më pak se 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Më herët, Sanchez njoftoi se Qeveria spanjolle do të rrisë investimet në këtë fushë me 10.5 miliardë euro për ta arritur këtë vit objektivin e mëparshëm të NATO-s prej 2 për qind të Prodhimi të Brendshëm Bruto.