SPAK dërgon për gjykim kreun e një grupi të strukturuar kriminal, akuzohet për kultivim droge

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë drejtuesin e një grupi të strukturuar kriminal i cili akuzohet për “kultivim i bimëve narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 284/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
Sipas SPAK, drejtuesi i këtij grupi kriminal Mark Gilaj ka rezultuar se nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar “se më datë 25.07.2024, pas kontrollit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pranë fshatit Selcë, në një sipërfaqe toke livadh është gjetur sasia e kultivuar, prej 11,358 (njëmbëdhjetëmijë e treqind e pesëdhjetë e tetë) bimë narkotike cannabis cattiva.”
“Bimët, me lartësi 40 – 100 cm kanë qenë të mbjella në 3 parcela pranë njëra-tjetrës, në një sipërfaqe prej 6,956 m2. Policia gjyqësore ka arrestuar në flagrancë të pandehurin Mark Gilaj. Nga kontrolli i ushtruar në një kasolle të improvizuar nga i pandehuri dhe bashkëpunëtorët e tij, janë sekuestruar një pushkë Model 56, një armë gjahu me mbishkrim “SALSIMAZ”, si dhe disa fishekë luftarakë.
Lidhur me këtë procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe nga analiza e provave të administruara ka rezultuar e provuar se i pandehuri Mark Gilaj ka ushtruar veprimtarinë e kultivimit të bimëve narkotike pa leje dhe autorizim sipas ligjit si dhe ka mbajtur pa leje armë zjarri dhe armë gjuetie, duke konsumuar elementët e veprave penale për të cilat është akuzuar, të parashikuara nga nenet 284/1, 28/4, 334/1, 333/a/1, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK shpjegon se ky i pandehur ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, me disa persona të tjerë, në formën e grupit të strukturuar kriminal.