Sot mbahet seanca konstituive, çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvendin e Kosovës

Screenshot_7-3

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot seancën konstituive pas më shumë se dy muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa me këtë shënohet edhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka bërë të ditur edhe agjendën e seancës.

Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 prill.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Në rastin e tanishëm, seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.

Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.

Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të domosdoshme votat e së paku 61 deputetëve.

Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do të përmbyllë konstituimin e institucionit ligjvënës të Kosovës.

Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndryshe kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.

Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

Deri dje deputetët e zgjedhur janë regjistruar në intervale të ndryshme kohore.