Skulptura shqiptare në Lezhë, ekspozitë me vepra nga fondi i Galerisë në Pallatin e Kulturës
Dymbëdhjetë skulptura nga autorë të ndryshëm shqiptarë janë ekspozuar në Galerinë e Arteve në Lezhë, pranë Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”.
Këto punime janë përzgjedhur nga fondi i galerisë, duke sjellë për publikun një pasqyrë të pasur të artit tridimensional shqiptar.
Skulpturat paraqesin teknika dhe stile të ndryshme që nga realizmi klasik deri te format më moderne të shprehjes artistike, duke e kthyer këtë ekspozitë në një udhëtim estetik për vizitorët e pasionuar pas artit.
Përgjegjësi i Galerisë së Arteve, Ymer Metaliaj, shprehet se kjo nismë është pjesë e një programi promovues gjatë sezonit turistik, dhe interesi për ta vizituar është i konsiderueshëm.
“Vlerat e skulpturave janë shumë të mëdha dhe kemi emra të njohur të historisë së skulpturës. Ka interes të veçantë për pjesën më antike”, u shpreh Metaliaj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit korrik dhe hyrja për vizitorët është falas – një mundësi e mirë për të parë nga afër veprat dhe për të kuptuar më shumë mbi zhvillimin e skulpturës shqiptare ndër vite.
