Skenaristi Koloreto Cukali zbulon surprizat e Fest 64: Ja kush do ta prezantojë Festivalin e Këngës

koloreto cukali

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH do të mbahet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, ku 28 artistë do të ngjiten në skenë për të interpretuar këngët e tyre para publikut dhe jurisë. Dy netët e para do të jenë konkurruese, nata e tretë do të ruajë traditën e nostalgjisë, ndërsa nata e katërt do të shpallë fituesin, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2026 që do të zhvillohet në Vjenë.

I ftuar në “Në Kohë Reale” në RTSH1, skenaristi Koloreto Cukali foli për magjinë e këtij edicioni dhe duke theksuar dëshirën që për 4 net radhazi publiku të shohë “një Shqipëri të bukur”.

Do të jetë më i bukuri në botë. Kush thotë se nuk është bukur të bësh festival gënjen. Të jesh në festival dhe të merresh me festivalin është një gjë shumë e bukur. Thelbi që unë do kisha dashur të sjellë por besoj se jemi në sintoni bashkë me regjisorin, me produksionin, me moderatorët është që për 4 net, ku në një jetë me strese hap televizorin nga një ngarkesë e madhe do të donim që për 4 net, për aq sa do e kesh ekranin tek festivali, të shohësh një Shqipëri të bukur”, u shpreh Cukali.

Ai premtoi një event të kuruar në çdo detaj nga ndriçimi te orkestra duke shtuar se, megjithëse perfeksioni është i pamundur, gjithë ekipi po përpiqet të sjellë një spektakël dinjitoz.

Kemi shumë gjëra të bukura në festivali. Do të kemi dy moderator të bukur, përjashto Salsanon, shumë të mirë. Këngët të paktën për shijen time dhe me sa njoh unë janë shumë të mira. Muzika është shumë e mirë. Do jetë çdo gjë e kuruar, ndriçimi, kamerat, orkestra ku vetëm të dëgjosh diçka me orkestër është një eksperiencë e bukur. Janë shumë njerëz në këtë ngjarje që po përpiqen të sjellin një gjë të bukur. A do jetë perfektë? Sigurisht që jo. Sepse është e pamundur të bësh diçka perfekte, por mund të përpiqemi që ti japim shqiptarëve për 4 net nga dy orë për të parë diçka të bukur”, tha ai.

Cukali konfirmoi çiftin e moderatorëve: Salsano Rrapi dhe Arilena Ara, të cilët i konsideroi karizmatikë dhe me kimi të fortë skenike. Ai theksoi se Fest 64 synon të mbetet klasik, por me elementë modernë që vijnë nga bagazhi artistik i të gjithë ekipit krijues.

Salsano dhe Arilena do jenë dy moderatorët dhe është një dyshe me kimi. Unë kam punuar me të dy dhe janë dy personazhe shumë karizmatik, dhe jo më kot në fushat e tyre janë të dy shumë të mirë, dhe të rrahur me moderimin. Do të mundohemi të sjellim diçka dhe nga bagazhi i tyre artistik sepse unë besoj se është një vlerë e shtuar. Dëshira ime për këtë festival është që të mbetet dhe bësoj se është dhe vizioni i të gjithë produksionit për këtë festival të mbetet tek klasikja por në momente të caktuara duke marrë më të mirën e profesioneve nga vijmë dhe unë besoj që diçka të bukur do të bëjmë”, theksoi skenaristi i Fest 64.

Ndër surprizat e festivalit, Cukali përmendi performancën e Elhaida Danit me një projekt të ri muzikor, dyshen Shkodra Elektronike, si dhe një të ftuar të huaj “Big”, grupin estonez Esspreso Machiato.

Elhaida do të performoj nuk dua të zbuloj shumë por ka diçka të re për të sjellë. Ajo ka një projekt muzikor dhe një pjesë do ta sjelli. Kemi element të tjerë që do të dhurojnë show. Do të kemi Shkodrën Elektronike, që është një dyshe që na bën krenar. Kemi një personalitet të huaj që besoj se është grupi estonez “Esspreso machiato”, është një i ftuar “Big” dhe është një gjë e bukur kjo për festivalin dhe të gjithë Shqipërinë që të kemi mundësinë ta shohim të performojë në një skenë tonën”, tha ai.  

Në natën e tretë, “Natën e Nostalgjisë”, publiku do të shijojë duete të artistëve të mëdhenj të skenës shqiptare, në një miks emocionesh dhe kujtimesh.

Është “Nata e Nostalgjisë” dhe nuk është vetëm kjo natë por është dhe e dueteve dhe ka personalitete muzikore shumë të mira. Ka një galeri artistësh të jashtëzakonshme, ka njerëz që janë të mëdhenj në muzikë, ka artistë të mëdhenj të vjetër është një miks shumë i bukur dhe do të jetë një natë për tu shijuar në relaks.  Një skenar mbyllet vetëm në momentin kur moderatori ngjitet në skenë”, tha Cukali.

Të gjitha këngët mund t’i dëgjoni duke klikuar këtu

/rtsh.al/