Skandali në Crans-Montana, lokali i tragjedisë nuk ishte inspektuar prej 5 vitesh. Kryebashkiaku: Nuk jap dorëheqjen
Një detaj tronditës ka dalë në dritë lidhur me tragjedinë e natës së ndërrimit të viteve në resortin e njohur të skive në Zvicër. Bari “Le Constellation”, i cili u shkrumbua nga flakët duke shkaktuar vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 116 të tjerëve, nuk i ishte nënshtruar asnjë inspektimi sigurie që nga viti 2020.
Pranimi i fajit erdhi nga vetë autoritetet lokale gjatë një konference për shtyp të mbajtur këtë të martë. Kryetari i Bashkisë së Crans-Montanës, Nicolas Féraud, konfirmoi se administrata është vënë në dijeni të kësaj mungese kontrollesh vetëm pasi ka konsultuar dokumentet e dorëzuara në prokurori.
Pavarësisht pranimit se për periudhën 2020-2025 nuk janë kryer inspektime periodike, kryebashkiaku Féraud ka refuzuar kategorikisht dorëheqjen.
“Administrata komunale shpreh keqardhje të thellë për këtë, por unë nuk e braktis anijen në mes të një stuhie,” deklaroi Féraud para gazetarëve. I pyetur nëse bashkia do të jetë palë civile në proces, ai ia la në dorë sistemit të drejtësisë.
Féraud sqaroi se rregulloret aktuale kanë një boshllëk ligjor, pasi “nuk përmendin kontrollin e cilësisë së materialeve”, duke iu referuar specifikisht shkumës thithëse të zhurmës (soundproofing foam). Dyshohet se pikërisht ky material, shumë i ndezshëm, ka favorizuar përhapjen e rrufeshme të flakëve.
Masat urgjente, stop fishekzjarrëve
Përballë presionit publik dhe dhimbjes së familjarëve, Këshilli Bashkiak ka njoftuar masa të menjëhershme:
Ndalim total i përdorimit të pajisjeve piroteknike në hapësira të mbyllura në të gjithë komunën.
Është kontraktuar një zyrë e specializuar për të inspektuar urgjentisht të 128 institucionet publike dhe lokalet e zonës.
Kontrolli do të përfshijë edhe cilësinë e materialeve të ndërtimit, pavarësisht se ligji nuk e kërkon detyrimisht.
Hetim paralel nga Franca
Përveç hetimeve në Zvicër, Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim “pasqyrë”. Prokurorja Laure Beccuau njoftoi se ky hap hidhet për të mbështetur familjet e viktimave franceze dhe për të lehtësuar komunikimin me autoritetet zvicerane, të cilat mbeten kompetente për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, trupat e viktimave italiane kanë nisur të riatdhesohen, mes dhimbjes dhe kërkesës së familjarëve për drejtësi.
