Situata nga moti i keq në Shkodër/ Bie niveli në lumenj, prezencë uji në Obot. Bora mbulon Bogë-Theth, vazhdon hedhja e kripës

bore boge theth

Situata në territorin e qarkut Shkodër paraqitet e qetë mëngjesin e sotëm me rënien e intensitetit të reshjeve të shiut, teksa në zonat malore kanë vijuar reshjet e dëborës.

Sipas emergjencave civile, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe bazuar në informacionet e raportuara nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë. Ndërkohë që vazhdon mirëmbajtja e rrugëve dhe hedhja e kripës në aksin Bogë-Theth për shmangien e ngricave.

Bashkia Shkodër

Nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile.

Në njësinë administrative Dajç, kuota e ujit është 6.20 m.

Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit nuk ka pësuar rritje dhe ndodhet nën kuotën kritike.

Në Urën e Bahçallëkut, niveli i lumit Drin vlerësohet nën kuotën kritike, dhe ka pasur rënie të nivelit.

Pranë fshatit Obot, ku vijon të ketë prezencë uji në rrugën kryesore, janë të dislokuara Forcat e Armatosura me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, të cilat prej disa ditësh po asistojnë banorët në kalimin e segmentit nën ujë.

Bashkia Vau Dejës

Në territorin e Bashkisë Vau Dejës nuk evidentohen probleme të Emergjencave Civile. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim.

Bashkia Malësi e Madhe

Situata paraqitet e qetë. Gjatë natës nuk janë regjistruar reshje shiu dhe nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile për momentin.

Ka pasur tërheqje të ujit në zonën e quajtur Rreze e Veshtit, njësia administrative Kastrat, ku po punohet të lirohet aksesi i plotë.

Bashkia Pukë

Deri në këto momente nuk raportohen probleme apo situata të lidhura me Emergjencat Civile.

Bashkia Fushë-Arrëz

Situata paraqitet e qetë dhe nuk janë raportuar probleme të Emergjencave Civile.

Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga verifikimet në terren, argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit, si dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.

Ndërkohë, lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike.

Për ditën e sotme nuk janë regjistruar reshje shiu dhe temperaturat janë në rënie.

Reparti Ushtarak Vau Dejës nr. 1010 (Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut) është i angazhuar në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, Bashkia Shkodër, me 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 8 efektivë.

Prefektura e Qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse.