Situata në zonën e Nënshkodrës / Bie niveli i ujit në Obot, del nga përmbytja zona Urrelat – Shirqit në Dajç

obot i vjeter

Situata e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës, këtë të premte paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim te vazhdueshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë është reduktuar ndjeshëm.

Në territorin e Bashkisë Shkodër, konkretisht në njësinë administrative Dajç, vihet re rënie e nivelit të ujit, ndërsa në zonën e njohur si “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prezencë të përmbytjeve.

 Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prani uji në disa segmente, me trashësi rreth 20 deri në 30 centimetra, por niveli është në rënie të vazhdueshme.

Transporti i banorëve në zonat ende të prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe pesë efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët janë në shërbim të komunitetit.

Në bashkitë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz, situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll të plotë, pa raportime për problematika apo emergjenca.

Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike.

 Lumi Drin në Bahçallëk shënon kuotën 7.2 metra, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 metra në Pazar dhe 6.40 metra në Dajç.

 Hidrovoret e Velipojës funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 metra dhe në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Shkodër bëhet me dije se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor në akset kryesore.

Megjithatë, në zonat malore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.

Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore njoftojnë se qarkullimi në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K/Hadroj–Qafë Bënë kryhet vetëm me goma dimërore ose zinxhirë. Ndërsa akset Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore–Theth dhe Hani i Hotit–Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit dhe sinjalistikës rrugore.