Situata hidrike në Shkodër, Koçiu mbledh Shtabin e Emergjencave: Jemi në gatishmëri, menaxhim i kujdesshëm i shkarkimeve
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka zhvilluar sot një takim me Komitetin e Emergjencave Civile në Bashkinë e Shkodrës, për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet dhe menaxhimin e kaskadës së Drinit.
Në takim ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë, Benet Beci, Prefektja e Qarkut, Holta Duda, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu vuri theksin te koordinimi me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Ajo garantoi se po bëhet një monitorim rigoroze i shkarkimeve nga hidrocentralet për të mos rrezikuar zonat e banuara.
“Fatmirësisht, në Shkodër nuk ka asnjë problematikë, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme. Vijojmë koordinimin e vazhdueshëm me drejtuesit e KESH sh.a për menaxhimin e shkarkimeve,”, u shpreh Koçiu.
Sipas raportimit të Prefekturës së Shkodrës, situata në terren paraqitet e qëndrueshme dhe pa rrezik imediat. Nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër raportohen të jenë nën kuotat kritike të rrezikut.
Lidhur me kaskadën e Drinit, prurjet natyrore llogariten në rreth 3500 m³/s, një vlerë kjo që tregon një situatë hidrike të menaxhueshme.
Sa u përket hidrovoreve, stacionet e pompimit në Velipojë, Vilun dhe Cas janë plotësisht funksionale. Aktualisht ato punojnë me nga 5 pompa secili dhe janë gati të operojnë me kapacitet maksimal nëse do të jetë e nevojshme. Gjithashtu, autoritetet konfirmuan se nuk ka dëmtime apo problematika në argjinatura, kanale kulluese.








