“Sita” e Tatimeve te ndërtimi, nis zbatimi i planit të ri, në fokus pagat reale, punonjësit e padeklaruar dhe faturimi

ndërtimi, nis zbati

Administrata Tatimore ka njoftuar zyrtarisht nisjen e një aksioni të gjerë monitorimi për sektorin e ndërtimit, pas miratimit të “Planit Sektorial të Ndërtimit” nga Komiteti i Riskut më 12 janar 2026.

Ndryshe nga kontrollet tradicionale fizike, këtë herë Administrata Tatimore paralajmëron përdorimin e teknologjisë dhe kryqëzimin e të dhënave. Institucioni bën me dije se disponon një gamë të gjerë informacioni të siguruar nga burime të palëve të treta (hipoteka, bashki, banka, etj.); sistemi elektronik i faturimit (CPCM); vetëdeklarimet e subjekteve në zinxhirin e furnizimit.

“Përmes analizës së riskut, sistemi do të identifikojë automatikisht mospërputhjet dhe devijimet nga treguesit referencë, duke sinjalizuar subjektet që kryejnë shmangie tatimore.”, thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje subjekteve ndërtuese që të rregullojnë vullnetarisht pozicionin e tyre, duke vendosur theksin te deklarimi i pagës që duhet të bëhet bazuar në profesionin, kualifikimin dhe kushtet reale të tregut, duke i dhënë fund fenomenit të deklarimit me pagë minimale ndërkohë që pjesa tjetër jepet në dorë.

“Çdo punonjës në kantier apo zyrë duhet të jetë i deklaruar në sistemin e sigurimeve shoqërore. Lëshimi i faturave me kodin NIVF/NSLF për çdo shitje, përfshirë edhe parapagimet (këstet për apartamente në ndërtim). Asnjë material apo shërbim nuk duhet të hyjë në kantier pa faturë tatimore, për të garantuar gjurmueshmërinë. Të dhëna të sakta në QKB dhe Tatime. Deklarimi i saktë i kontratave të qirasë për ambientet e biznesit. Përdorimi vetëm i programeve të certifikuara për fiskalizim.”, njofton Administrata Tatimore.

Pasojat

Tatimet paralajmërojnë se çdo subjekt që rezulton me risk pas analizës së të dhënave, do të përballet me masa të ashpra.

“Administrata Tatimore ndërmerr masa verifikuese dhe monitoruese të cilat mund të përfshijnë kontrolle, hetime tatimore dhe masa administrative,” thuhet në njoftim.