Simboli i Shkodrës që nuk njeh stinë / Turistë të shumtë vizitojnë Kalanë e Rozafës edhe në dimër

simbol kala turiste

Kalaja e Rozafës edhe gjatë periudhës së dimrit, vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara të qytetit të Shkodrës.

Ajo po pret çdo ditë vizitorë të shumtë, kryesisht turistë të huaj, të cilët shprehen tepër të mahnitur nga bukuria, historia dhe panorama unike që ofron kjo kala. Vizita e parë në dyert e Shkodrës për shumë prej tyre nis pikërisht nga Kalaja e Rozafës, e cila mbetet një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit.

“Emri im është Kiki. Unë jam nga Kina. Është hera ime e parë që e vizitoj Shqipërinë.Sapo mbërrita dje në mbrëmje, kështu që gjëja që më bëri më shumë përshtypje janë rrugët dhe kalaja. Më pëlqejnë shumë, dhe gjithashtu ndërtesat unike dhe të bukura. Shtëpitë e vogla duken shumë të rehatshme. Është një ndryshim shumë i madh krahasuar me Kinën.

-Sapo mbërritëm direkt në Shkodër dhe po vijmë nga Italia. Ende nuk kemi parë shumë, por është fantastike. Tani jemi te kalaja, dhe është e mahnitshme.

-Po e vizitoj për herë të parë Shkodrën dhe po më pëlqen çdo gjë këtu, natyra, kalaja dhe shumë vende që shikuam rrugës”, shprehen turistët.

Pamja madhështore mbi liqenin, lumin Buna dhe Drin, si dhe legjenda e njohur e Rozafës, e bëjnë këtë destinacion edhe më të veçantë për çdo vizitor.

 E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.