Siguria detare, bllokohen 36 mjete lundruese, shpëtohen 18 persona

siguria detare

Në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare ka intensifikuar kontrollet në të gjithë zonat bregdetare, liqenore dhe lumore të vendit, nga Ksamili deri në Koman, me qëllim garantimin e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese.

Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të ndryshme si: lundrim jashtë zonave të lejuara, mungesë dokumentacioni dhe shkelje të perimetrit të sigurisë detare.

“Mjetet e bllokuara janë 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.”- njofton policia.

Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.

Ndërkohë mësohet se nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

Policia Kufitare apelon për respektim të rregullave të sigurisë dhe njofton se çdo shkelje mund të denoncohet në numrin falas 112.