Shuhen 23 vatra zjarri, vetëm dy aktive në Selenicë dhe Fushë-Arrëz

vatra zjarri

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, nga të cilat 23 janë shuar falë reagimit të shpejtë të strukturave të Mbrojtjes Civile.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi të mërkurën se një vatër problematike ka qenë në fshatin Shishtavec, në bashkinë e Kukësit, e cila është izoluar plotësisht me ndërhyrjen e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe me helikopterin “Cougar”. 

Vijojnë të mbeten aktive, por pa rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve, vatrat e zjarrit në:

  • në fshatin Mazhar të Selenicës;
  • në fshatin Tuç të Fushë-Arrëzit.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 336 forca zjarrfikëse, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe vullnetarë, të mbështetur nga helikopteri “Cougar”. 

Ministria fton qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë çdo incident. Dëmtimi i pronës me zjarr ndëshkohet sipas ligjit.