Shtyhet misioni “Artemis II” drejt hënës – Probleme teknike me raketën, NASA zhvendos nisjen për në muajin mars
Momenti i shumëpritur për misionin Artemis II është shtyrë sërish. NASA ka njoftuar se fluturimi i parë me astronautë rreth Hënës pas dekadash nuk do të realizohet më herët se muaji mars. Shkak për vonesën janë problemet e konstatuara gjatë një prove kritike të raketës gjigante.
Gjatë provës gjenerale të zhvilluar në Florida, u zbuluan rrjedhje hidrogjeni në bazën e raketës së Sistemit të Nisjes Hapësinore. Për këtë arsye, NASA u detyrua ta ndërpriste testin pak pas mesnatës, me mbi pesë minuta të mbetura në numërimin mbrapsht të simuluar.
Agjencia hapësinore tha se misioni u shty për të analizuar të dhënat dhe për të kryer një tjetër provë gjenerale. Sipas NASA-s, dritarja më e hershme e nisjes është nga 6 deri më 9 mars, si edhe më 11 mars. Nëse do të jetë e nevojshme, data të tjera janë planifikuar edhe për muajin prill.
Prova disaorëshe përfshiu mbushjen e raketës me karburant dhe simulimin e çdo faze të nisjes. Gjatë furnizimit, procedurat u ndalën dy herë për shkak të rrjedhjeve të hidrogjenit në pjesën e pasme të raketës.
Ndërkohë, katër astronautët e misionit Artemis II ishin në karantinë dhe gati të udhëtonin drejt Floridës. NASA konfirmoi se ata do të lirohen për momentin nga karantina dhe do të rikthehen rreth dy javë para datës së ardhshme të mundshme të nisjes.
