Shqiptarët votojnë, Berisha: Kush shkel ligjin do mbajë përgjegjësi absolute

Kryedemokrati Sali Berisha ka falënderuar qytetarët që kanë votuar deri tani dhe ka bërë thirrje që të dalin masivisht në votime.
Sipas Berishës, ky është detyrim ndaj familjes dhe vetë Shqipërisë.
“Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare. Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.
Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Berisha ka shprehur mirënjohjen për çdo votues duke theksuar se ‘‘ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe’’.
“Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën. Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari”, tha Berisha.
Ai shtoi se ditën e sotme “sovrani jep një verdikt historik” dhe se kush shkel ligjin, do bëhet përgjegjës në mënyrë absolute”, ndërsa specifikoi se “çdo gjë ka një vëzhgim ndërkombëtar shumë serioz dhe vëzhgim kombëtar po kaq serioz”.
“Dhe secili që merr përsipër të shkelë ligjin në këtë proces, do bëhet përgjegjës në mënyrë absolute. Një gjë mund t’u them se sot sovrani jep një verdikt historik. Unë them sot sovrani do japë një verdikt historik dhe kjo është e vërteta. Po cili është ai që nuk i bindet historisë? Pra, kështu është kjo”, theksoi Berisha në një konferencë për shtyp.