Shqipëria Zgjedh, 29.51% pjesëmarrja deri në orën 14:00. Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit vendosin sot për Parlamentin e ri

shqipe zgjedh

Shqiptarët në të gjithë vendin po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri.

Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzojnë të drejtën e votës. 114 mijë do të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë, procesit i është bashkuar edhe diaspora me gati 245 mijë votues të regjistruar. RTSH ka përgatitur një video të posaçme që tregon si mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit.

Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit është 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites është po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që vijnë me postë nga diaspora, ndërsa votat nga jashtë përtej këtij orari nuk do të merren parasysh. Procesi monitorohet nga mbi 2.100 vëzhgues.

Në fletën e votimit janë 11 subjekte politike, të cilat kanë shpërndarë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë.

14:15 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 27.22% deri në orën 13:00

Ka shkuar në 27.22% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka mbetur në 76.41%.


13:07 | Shqiptarët votojnë, Berisha: Kush shkel ligjin do mbajë përgjegjësi absolute

Kryedemokrati Sali Berisha ka falënderuar qytetarët që kanë votuar deri tani dhe ka bërë thirrje që të dalin masivisht në votime. Sipas Berishës, ky është detyrim ndaj familjes dhe vetë Shqipërisë. “Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare. Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.”


13:05 | Zgjedhjet, Gonzato në Durrës: I gjithë procesi shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka konsideruar “shumë të rëndësishëm” për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE mënyrën sesi janë organizuar dhe po zhvillohen zgjedhjet në vend. I pranishëm në Durrës, ku ka ndjekur nga afër votimin në një qendër, Gonzato tha se ata do të bëjnë një analizë të të gjithë procesit, por shtoi se fillimisht do të presin edhe gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Sigurisht që dita e zgjedhjeve është vetëm një aspekt, sepse kemi pasur fushatën zgjedhore më parë, është vetë dita e zgjedhjeve dhe më pas procesi i numërimit që kanë shumë rëndësi,” tha Gonzato.

cap ZGJEDHJE PA TITRA PJ 7 11 MAJ 2025 19 00 40 10 03

12:50 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 23.04% deri në orën 12:00

Ka shkuar në 23.04% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve të mbërritura ka shkuar në 76.41%.


12:24 | Fotografoi fletën e votimit, arrestohet 56-vjeçarja

Shërbimet e Policisë në Komisariatin Nr. 1 në kryeqytet shoqëruan një 56-vjeçare, e cila dyshohet se fotografoi votën gjatë votimit në shkollën “Ali Demi”. Banuesja e Tiranës u ndalua për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Shërbimet e Policisë të Komisariateve Nr. 3 dhe Nr. 4, shoqëruan edhe dy shtetas të dyshuar për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë në Elbasan, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasen 56 vjeçe, banuese në Elbasan, e cila po ashtu dyshohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” gjatë votimit në qendrën nr. 2321 në lagjen “5 Maj”.


11:35 | Zgjedhjet, pjesëmarrja 17.79% deri në orën 11:00

Ka shkuar në 17.26% pjesëmarrja në votime brenda vendit, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve që kanë mbërritur ka shkuar në 76.24%.

Screenshot 2025 05 11 121149

11:30 | Zannier: Po vëzhgojmë nëse zgjedhjet janë në standardet ndërkombëtare

Kreu i OSBE-ODIHR-it, Lamberto Zannier, ka vizituar një prej qendrave të votimit për të parë nga afër procesin ku shqiptarët po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit për Parlamentin e ri. Zannier tha se vëzhguesit janë në Shqipëri për të parë nëse zgjedhjet do të realizohen sipas standardeve ndërkombëtare. “Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje nëse janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo është një nga qendrat e votimit nga qendrat e shumta ku ne kemi prezencën ditën e sotme. Ne si OSBE-ODIHR ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë 135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe nga Parlamenti Europian”, u shpreh Zannier.


11:25 | Fier, pretendime për shkelje gjatë procesit të votimit

Në qendrën e votimit 3030 të “Kinoteatri” në Fier, vëzhgues të një subjekti politik pretendohet se janë parë me lista të votuesve në duar, duke i kontrolluar votuesit gjatë procesit të votimit. Vëzhguesja e subjektit politik që rri tek kutia e votimit dhe kontrollon nëse fleta e votimit ka dy vula po ashtu pretendohet se e kryen këtë pasi votuesi ka votuar, duke shkelur rregullat dhe parimin e fshehtësisë së votës. Për pasojë, procesi i votimit u ndal përkohësisht.


11:07 | Zgjedhjet, Celibashi: Procesi i votimit po vijon normalisht

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në komunikimin e parë për mediet në këto zgjedhje, ka bërë me dije ecurinë e këtij procesi deri më tani, në të gjithë vendin. Celibashi deklaroi se procesi i votimit ka filluar normalisht dhe po vijon po ashtu normalisht, pavarësisht disa problematikave të izoluara.  Ai përsëriti edhe njëherë thirrjen për kandidatët për deputetë që të mos qëndrojnë në qendrat e votimit.


11:00 | KQZ: Deri në orën 10:00 votojnë 13.54 për qind e votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur pjesëmarrjen e përqindjes së votuesve në procesin e votimit deri në orën 10:00 të paradites për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Duke iu referuar të dhënave të raportuara deri më tani nga qendrat e votimit në rang vendi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpjegon se pjesëmarrja deri në orën 10:00 të paradites së sotme është 13.54 për qind.

Screenshot 2025 05 11 110351

Në raport me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021, ka një një pjesëmarrje më të ulët me 3 për qind sa i përket procesit të votimit në të njëjtën orë. Gjithashtu, KQZ-ja bën të ditur edhe përqindjen e zarfeve të dërguara me fletën e tyre të votimit nga Diaspora, mbi 75 për qind, ndërsa vendi që dominon dërgesat është Italia.

Screenshot 2025 05 11 105711

10:55 | Zgjedhjet parlamentare, Voton Rama: Sot është fjala e popullit

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama kanë votuar në qendrën e votimit në Surrel. Për mediat, Rama pati një koment shumë të shkurtër, teksa tha se sot është populli ai që do të flasë.

Sot është fjala e popullit, kështu që të presim çfarë do thotë populli”, u shpreh kryeministri.


10:22 | Zgjedhjet parlamentare, voton Berisha: Do kemi një Ditë të dytë Vere

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kanë votuar pranë qendrës së votimit të vendosur në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime, ndërsa 11 majin e konsideroi “një Ditë të dytë Vere”.

Një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar që sot të votojnë, të votojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punësimin, biznesin, fermën e tyre, të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend. Unë, çdo njeri që takova, takova njerëz të gëzuar dhe të sigurt në votën e tyre dhe mezi presin rezultatin. Do kemi një ditë të dytë vere, ndaj thirrja ime është votoni, votoni, votoni!”, tha Berisha.


9:53 | Voton presidenti Bajram Begaj: Qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre

Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj kanë votuar për zgjedhjet parlamentare. Në një deklaratë të shkurtër për mediet, Begaj u bëri thirrje qytetarëve që të shprehin lirisht vullnetin e tyre dhe për një proces të qetë numërimi pas përfundimit të votimit. “Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, vendin dhe demokracitë. Kjo ditë sot ka një rëndësi të veçantë për shkak se kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE, për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira. Kjo duhet të jetë një ditë gëzuar ku qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa presion, por me përgjegjshmëri që zëri i tyre të dëgjohet,” u shpreh kreu i shtetit.

WhatsApp Image 2025 05 11 at 10.29.33 1

9:42 | Kryetari i PSD, Tom Doshi, voton me familjen e tij

Në KZAZ 34, te shkolla “Kongresi i Lushnjës” në kryeqytet votoi kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, së bashku me familjen e tij.


9:32 | Katër minorenë të burgosur votojnë në KZAZ-në e Kavajës

Katër të burgosur tek burgu i minorenëve, të cilëve u ka lindur e drejta e votës pasi kanë mbushur 18 vjeç, votuan në KZAZ 43 në Kavajë. Të katërt u shoqëruan nga një furgon i Ministrisë së Drejtësisë për shkak të pamundësisë për të votuar brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për minorenët.


9:06 | Adriatik Lapaj voton në Tiranë

Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, e ushtroi të drejtën e votës në Shkollën e Mesme Ekonomike, që ndodhet në rrugën “Myrtezim Këlliçi” në Tiranë.

9:01 | Lulzim Basha voton në kryeqytet bashkë me vajzën e tij

Lulzim Basha i Koalicionit Euroatlantik ka kryer votimin në QV nr. 13 në Tiranë. Ai ishte i shoqëruar nga vajza e tij, që tha se voton për herë të parë në këto zgjedhje. “E kam këtë ftesë veçanërisht për brezin e ri në këtë ditë shumë të veçantë për mua, kur vajza ime, Dafina, voton për herë të parë. I them brezit të ri: sot keni një të drejtë të çmuar për të ushtruar. Dilni nga shtëpia, rezervoni pak kohë dhe votoni për veten tuaj, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj,” u shpreh Basha.


8:38 | KQZ konstaton praninë e kandidatëve në qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputetë kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit, një veprim ky i ndaluar nga Kodi Zgjedhor. “Kandidatët duhet të respektojnë me rigorozitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politik, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor,” thuhet në deklaratën e Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi.


8:32 | Voton kryeparlamentarja Elisa Spiropali: Sot është dita e shqiptarëve

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, pasi votoi për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në zonën e “Parkut Olimpik”, deklaroi se sot është dita e kombit dhe e qytetarëve shqiptarë. “U bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj thirrjeje, të votojnë sot me qytetari ashtu siç është zhvilluar fushata zgjedhore, t’u tregojmë që jemi europianë me mendje dhe me zemër, në ideale por edhe në standarde. Urime të gjithëve dhe sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë do të jetë e ardhmja jonë,” u shpreh Spiropali.

WhatsApp Image 2025 05 11 at 08.39.01

8:32 | Në bashkitë e Finiqit, Kardhikaqit dhe Gravës ende nuk janë tërhequr materialet zgjedhore

Në dy qendra votimi në Bashkinë Finiq, Kardhikaq dhe Gravë, nuk janë tërhequr materialet zgjedhore dhe si pasojë nuk ka nisur procesi. Në KZAZ 92 po shkon oficeri i policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe për ta referuar ngjarjen për ndjekje penale për komisionerët që nuk u paraqitën.


8:23 | Në Labinot-Fushë nuk ka nisur votimi

Në Labinot-Fushë në qarkun e Elbasanit nuk ka nisur votimi. Probleme me materialet zgjedhore.


8:22 | Ambasadori gjerman flet për RTSH, thirrje qytetarëve: Përdorni të drejtën tuaj për të votuar!

Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, është i pranishëm në KZAZ numër 41 në Tiranë, ku po vëzhgon nga afër procesin e votimit. Në një prononcim për gazetaren Sonila Agostini, ambasadori Bergner u bëri thirrje qytetarëve që dalin në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre. Ai përmendi votën e diasporës dhe votimin dhe numërimin elektronik si përparime në këto zgjedhje. “Gjermania mbështet integritetin e këtyre zgjedhjeve në kuadër të mbështetjes që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE,” u shpreh ambasadori.

Screenshot 9 3

8:20 | Incident në lagjen 5 Maji në Elbasan, qytetarja kapet duke fotografuar votën

Një incident është regjistruar në lagjen 5 Maji në Elbasan, në Qendrën e Votimit 2321, ku një votuese është konstatuar duke fotografuar fletën e votimit. Pas evidentimit të rastit, policia ka kryer procesverbalin, për të marrë më pas masat e duhura. Kujtojmë se fotografimi i votës përbën vepër penale.


7:38 | Shkodër, nuk ka nisur ende votimi në zonat e thella malore, shkak mungesa e komisionerëve

Në qarkun e Shkodrës, në zonat e thella malore të Dukagjinit, Kelmendit, Pukës dhe Fushë-Arrëzit, ende nuk ka nisur procesi i votimit.

Komisionerët në disa qendra votimi ende nuk kanë mbërritur, për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë. Procesi zgjedhor ka nisur gjithmonë me vonesë në këto zona.


7:30 | Probleme me pajisjen PEI në disa qendra votimi në Përrenjas, Vlorë dhe Kamëz

Ne Përrenjas në dy qendra votimi ka problematika. Shkak mungesa e valëve në dy fshatra të thellë, kësisoj nuk punon pajisja PEI për identifikimin elektronik të votuesit. Edhe në dy qendra votimi në Vlorë dhe në Kamëz, KQZ-ja është lajmëruar për problematikën me pajisjen PEI.

cap ORNELARRJETET SOCIALE NXISIN QYTETARET PER ZGJEDHJET 00 00 45 01

7:20 | Elbasan, nis me vonesë procesi në 2 qendra votimi

Në Elbasan, procesi i votimit ka nisur me vonesë në 2 qendra votimi. Shkak për këtë është bërë vonesa e komisionerëve. Pas ardhjes së komisionerëve, procesi vijon pa probleme.


Në fletën e votimit janë këto 11 subjekte politike:

  • Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
  • Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
  • Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
  • Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
  • Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
  • Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet i drejtuar nga Adriatik Lapaj
  • Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
  • Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
  • Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
  • Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
  • Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi

Për këto zgjedhje është vendosur një sistem i ri votimi, që kombinon listat e mbyllura dhe të hapura. Edhe pse e radhitur alfabetikisht në fletëvotim, një e treta e listës së një subjekti politik është e paracaktuar si renditje dhe kandidatët në fjalë radhiten të parët kur vjen koha për ndarjen e mandateve, ndërsa në listën e hapur, kandidatët e subjektit politik garojnë me njëri-tjetrin me votat e marra për të siguruar mandatin e mundshëm.