Shqipëria Zgjedh 2025, votuesit brenda dhe jashtë vendit vendosin sot për Parlamentin e ri

Me shpërndarjen e materialeve zgjedhore në më shumë se 5 mijë qendra votimi në të gjithë vendin, shqiptarët po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri.
RTSH ka përgatitur një video të posaçme që tregon si mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit.
Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzojnë të drejtën e votës. 114 mijë do të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë, procesit i është bashkuar edhe diaspora me gati 245 mijë votues.
Në fletën e votimit janë këto 11 subjekte politike, të cilat kanë shpërndarë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë:
- Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
- Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
- Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
- Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
- Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
- Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj
- Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
- Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
- Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
- Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
- Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi
Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit është 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites është po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që do të vijnë me postë nga diaspora. Përndryshe votat nga jashtë përtej këtij orari do të konsiderohen të pavlefshme.
Për këto zgjedhje është vendosur një sistem i ri votimi, që kombinon listat e mbyllura dhe të hapura. Edhe pse e radhitur alfabetikisht në fletëvotim, një e treta e listës së një subjekti politik është e paracaktuar si renditje dhe kandidatët në fjalë radhiten të parët kur vjen koha për ndarjen e mandateve, ndërsa në listën e hapur, kandidatët e subjektit politik garojnë me njëri-tjetrin me votat e marra për të siguruar mandatin e mundshëm.
Përveçse nga vëzhguesit e huaj, për herë të parë në këto zgjedhje po vepron edhe një task-forcë për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me procesin elektoral, një bashkëpunim i KQZ-së me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme.