Shqipëria në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër
Sipas raportit të fundit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025”, Shqipëria zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përputhshmërinë me politikat e gjelbërta të Bashkimit Europian, duke kaluar të gjitha vendet fqinje në “Greening Cluster” me një rezultat prej 103 pikësh, gjithashtu duke u renditur mbi mesataren e BE-së (100 pikë) dhe të Ballkanit Perëndimor (47 pikë).
Përparimi i ndjeshëm i Shqipërisë në këtë fushë është për shkak të përfshirjes së objektivave të qëndrueshmërisë në planet kombëtare dhe ndërsektoriale, njoftoi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“Renditja në vendin e parë e Shqipërisë në këtë dimension shihet si një mundësi për të udhëhequr tranzicionin rajonal të gjelbër, një avantazh për tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme, një dritare për financime të gjelbra nga BE dhe institucionet ndërkombëtare. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në rolin e Koordinatorit Kombëtar të këtij raporti mbetet e angazhuar për zhvillimin e politikave që promovojnë ekonominë e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme, si pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin evropian,” njoftoi ministri Gonxhja.
Konvergjenca ekonomike me Bashkimin Evropian (BE) mbetet një domosdoshmëri strategjike për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Përtej përmirësimit të standardeve të jetesës, duke qenë më konkurrues dhe elastik, Ballkani Perëndimor do të përfitonte në drejtimin e tregtisë, tërheqjen e investimeve dhe thellimin e integrimit në tregjet evropiane.
Sipas dokumentit të OECD-së, gjatë dy dekadave të fundit, rajoni ka bërë përparim të rëndësishëm në ruajtjen e rritjes ekonomike. Mesatarisht, nivelet e rritjes në Ballkanin Perëndimor kanë tejkaluar vazhdimisht ato të BE-së, duke ndihmuar në afrimin e PBB-së për frymë të rajonit me BE-në. Që nga viti 2003, PBB-ja për frymë – e korrigjuar sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) – në Ballkanin Perëndimor u rrit me afërsisht 120%, nga 9.725 dollarë në vitin 2003 në 21.305 dollarë në vitin 2023.
