“Shqipëria forcon mbrojtjen me investime të reja strategjike”, Vengu: Rritje deri në 70% e pagave për ushtarakët, synojmë mesataren e NATO-s

Pirro Vengu, dekla

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria po përgatit rishikimin strategjik të mbrojtjes.

Ai u shpreh se pikëpyetja nëse aleancat, industria dhe kapacitetet shtetërore, do të jenë të mjaftueshme për ta vendosur Shqipërinë në një pozitë më të fortë, nxit nevojën për mbrojtje civile, mbrojtje kibernetike, veprimtari prodhuese, infrastruktura kritike dhe komunikim strategjik, si pjesë e sigurisë kombëtare.

“Në këtë kontekst Shqipëria siguron sot politikën e saj të mbrojtjes“, tha Vengu.

Në fjalën e tij në konferencën për media, Vengu u shpreh se buxheti i vitit 2026 për mbrojtjen përfaqëson një mekanizëm kyç për ndërtimin e kapaciteteve reale, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, forcimin e sovranitetit digjital dhe garantimin e një Shqipërie të qëndrueshme si aleate e NATO-s.

Sipas tij, buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 arrin në 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2025, duke reflektuar qartë angazhimin e qeverisë për sigurinë kombëtare në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik.

Buxheti i 2026- është mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin digjital dhe për të garantuar një Shqipëri ai aleate e qëndrueshme në NATO.

Buxhet i përballjes së menaxhuar dhe sovranitetit kombëtar. Këtë vit arrin vlerën 2.12 të PBB dhe nëse e krahasojmë me 2025-ën kemi rritje domethënëse prej 12%. Shtylla e parë e artikulimit të kësaj përpjekje të madhe buxhetore, është kapitali njerëzor, si themeli i forcës sonë, themeli i çdo ushtrie moderne”, u shpreh Vengu.

Ministri theksoi se shtylla kryesore e kësaj përpjekjeje buxhetore është kapitali njerëzor, si themeli i çdo ushtrie moderne. Vengu njoftoi se rritja e pagave për personelin e Forcave të Armatosura mbetet një nga prioritetet kryesore të buxhetit 2026. Sipas tij, politika afatgjatë e rritjes së pagave do të vijojë me synimin që deri në vitin 2029, pagat e ushtarakëve shqiptarë të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s.

“Do vijojmë politikën afatgjatë të rritjes së pagave, që në 2029 të arrijmë mesataren e NATO-s. Rritja parashikon një rritje progresive 60-70% për pagat bazë dhe 30% për nivelet më të larta të komandimit.

Paralelisht me këtë përpjekje, synojmë rritjen me 30% të komponentit aktiv, më shumë forca aktive dhe profesionale.

Nga viti i kaluar, 721 rekrutë të rinj, dëshmon se FA shihet si opsion dinjitoz, tërheqës e premtues për të rinjtë shqiptarë.

Investojmë në infrastrukturën e mësimdhënies, kurrikula e programe të reja,. Akademia e FA pika nevralgjike e kësaj politike. Për vitin akademik 25-26 për 80 vende të lira, kishim 1634 aplikime. Tregues i qartë i reputacionit të akademisë së FA“, tha Vengu.

Ky i fundit bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë rekrutuar 721 ushtarakë të rinj, një tregues se Forcat e Armatosura po shihen gjithnjë e më shumë si një opsion dinjitoz dhe premtues për të rinjtë shqiptarë.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i investimeve mbetet arsimimi ushtarak dhe infrastruktura akademike. Akademia e Forcave të Armatosura po kthehet në pikë nevralgjike të kësaj politike, ku për vitin akademik 2025–2026, për 80 vende të lira janë regjistruar 1634 aplikime. Gjatë këtij viti do të investohet në fazën e dytë të kampusit të Akademisë, e cila tashmë është dislokuar në zonën e Tufinës, ndërsa muaji i ardhshëm shënon inaugurimin e ambienteve të fazës së parë.

Ministri nënvizoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe universiteteve, duke përmendur programe të përbashkëta masteri në inxhinieri armatimi, aviacion dhe inxhinieri detare, si dhe projekte për mastera shkencorë dhe programe doktorature në fushën e mbrojtjes.

“Që nga 2018-ta s’ka pasur përpjekje kaq të madhe sa i përket paktit të Institucioneve publike me Universitetet.

Akademia e FA ka nënshkruar themelimin e disa programeve të përbashkëta, kemi master e inxhinieri armatim, aviacion dhe inxhinieri detare me Universitetin e Vlorës, po punojmë për masterin shkencor për menaxhimin e  sistemit të informacionit në mbrojtje, program doktorature me Universitetin e Tiranës.

Viti 2026 do e mbështesë gjithë këtë përpjekje në paga dhe arsim ushtarak me reforma strukturore për të krijuar një kuadër ligjor më tërheqës. Do reformohet statusi i ushtarakut për të krijuar më shumë meritokraci, qëndrueshmëri në karrierë, Nga ana tjetër do vijojmë me komponentin rezervist me të gjitha strukturat ushtarake. Kemi filluar dhe me rikthimin e ushtarakëve që janë liruar nga detyra për arsye të ndryshme. Kemi fluks rikthimesh dhe FA është tashmë një forcë që tërheq gjithnjë e më shumë“, shtoi ministri.

Në fjalën e tij, Vengu vuri theksin edhe te sfidat e reja të sigurisë, duke theksuar se sot kërcënimet nuk vijnë vetëm me mjete ushtarake, por edhe përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjeve hibride. “Armiku modern vjen me algoritme dhe helm informativ”, tha ai, duke shtuar se mbrojtja civile, kibernetike, infrastruktura kritike dhe komunikimi strategjik janë tashmë pjesë integrale e sigurisë kombëtare.

Në këtë kuadër, Shqipëria po përgatit edhe rishikimin strategjik të mbrojtjes, për t’iu përgjigjur një rendi ndërkombëtar gjithnjë e më të fragmentuar dhe konkurrues, ku Ballkani mbetet një fushëbetejë influencash dhe perceptimesh.

Vengu: Nga bazat rajonale te anijet luftarake, zgjerohen kapacitetet e mbrojtjes

Në fushën e koordinimit institucional, Vengu njoftoi se në bashkëpunim me Italinë, në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipëria do të adoptojë modelin italian të sistemit të emergjencave 112. Synimi është krijimi i një numri të vetëm kombëtar, i cili do të menaxhohet nga një sallë operacionale e centralizuar, ku do të bashkëveprojnë njëkohësisht institucionet ligjzbatuese dhe strukturat që menaxhojnë fatkeqësitë natyrore.

Paralelisht me këto investime, ministri bëri të ditur edhe plane strategjike për forcimin e kapaciteteve detare. Në bashkëpunim me kompaninë italiane Fincantieri, synohet ndërtimi i tre anijeve në bazën detare të Pashalimanit. Shteti shqiptar do të investojë në infrastrukturën e kantierit, ndërsa Fincantieri do të kontribuojë me njohuritë teknike, teknologjinë, fuqinë punëtore dhe kapacitetet industriale.

Ai theksoi se në planin afatmesëm të Forcave të Armatosura parashikohet ndërtimi i dy anijeve luftarake dhe një anijeje me përdorim civil-ushtarak dhe logjistik në det.

“Shteti shqiptar do bëjë investime në infrasturkturën e kantierit, Fincantieri vjen me njohuritë, forcën punëtore, kapacitetet teknike, teknologjinë. Do nisim punën me mirëmbajtjen e mjeteve tona, të mirëmbahen këtu.

Kemi në planin afatmnesës të FA të ndërtojmë 3 anije, 2 anije luftarake dhe një për qëllime civile-ushtarake dhe logjistike në det”, deklaroi Vengu.