Shqipëria, e para në rajon për reformat e BE, disbursohen 99.3 milionë euro nga Plani i Rritjes, Balla: Drejtësi e pavarur bazuar në parimet e ndarjes së pushteteve
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) organizoi një takim të nivelit të lartë në bashkëpunim me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), për të monitoruar progresin e Shqipërisë në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027.
Sipas njoftimit për shtyp, diskutimet konfirmuan se “Shqipëria po udhëheq procesin në rajon për sa i përket realizimit të hapave konkretë drejt konvergjencës socio-ekonomike me Bashkimin Evropian”.
Në fjalën e tij, nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, vuri theksin te nevoja për të ndërtuar një sistem drejtësie që nuk është vetëm i pavarur, por mbi të gjitha profesional dhe i besueshëm për qytetarët.
“Qëllimi është një sistem drejtësie i besueshëm, efektiv dhe patjetër i pavarur, i bazuar në parimet e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve,” u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se përmirësimi i ekonomisë shqiptare kalon përmes inovacionit, teknologjisë dhe turizmit të qëndrueshëm, duke kërkuar një rol aktiv të Kuvendit në mbikëqyrjen e fondeve evropiane për të siguruar transparencë maksimale.
Detajet financiare dhe teknike të progresit u paraqitën nga Eridana Çano, Drejtore e SASPAC dhe Koordinatore Kombëtare për Planin e Rritjes. Sipas shifrave zyrtare, Shqipëria ka arritur:
Shkalla e përmbushjes, 51% e hapave të planifikuar për periudhën dhjetor 2024 – qershor 2025 janë realizuar (21 nga 41 hapa).
Deri më tani janë disbursuar 99,3 milionë euro, ndërsa shuma totale e përfituar (përfshirë parafinancimin) arrin në 163,87 milionë euro.
Rezultate Konkrete të Vitit 2025
Gjatë takimit u listuan disa nga arritjet kyçe që prekin drejtpërdrejt ekonominë dhe qytetarët si miratimi i hartës së parë të digjitalizimit të sistemit të kadastrës dhe implementimi i rrjetit 5G; miratimi i Strategjisë së Specializimit SMART (S3) dhe Strategjisë së të Ardhurave Afatmesme; programi i ri për mbështetjen e punëkërkuesve vulnerabël.
Mbështetja ndërkombëtare dhe transparenca
Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, vlerësoi se “Faciliteti për Reforma dhe Rritje” është instrumenti më i rëndësishëm pas fondeve IPA, duke rikonfirmuar angazhimin e Zvicrës për forcimin e kapaciteteve institucionale.
Nga ana tjetër, Krisela Haçkaj nga CDI, theksoi se mbikëqyrja parlamentare është “busulla” që siguron se reformat përputhen me angazhimet e marra ndaj Brukselit.
