Shqipëria drejt BE, roli qendror i bashkive dhe apeli i Ramës: Gjasat janë që në vjeshtë do t’i hapim të tërë kapitujt, një rekord historik

apeli i Ramës

Me perspektivën e hapjes së të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian në vjeshtën e këtij viti, Shqipëria hyn në një fazë vendimtare të rrugëtimit të saj integrues. Kryeministri Edi Rama, në një takim të rëndësishëm me kryetarët e bashkive nga i gjithë vendi, theksoi se dera e BE-së tashmë është e hapur, por vendi duhet të provojë se është “i veshur mirë, i stërvitur mirë dhe i edukuar mirë” për t’u ulur në tryezën evropiane.

Integrimi, një sfidë për qeverisjen vendore

Rama theksoi ndikimin e drejtpërdrejtë të procesit të integrimit në qeverisjen vendore, duke e cilësuar atë si thelbësor për arritjen e objektivit të mbylljes së procesit deri në fund të vitit 2027.

“Gjasat janë që në vjeshtë do t’i hapim të tërë kapitujt, një rekord historik në kohë në gjithë procesin e integrimit,” u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për informim dhe kuptim të thellë të këtij procesi kompleks.

Anëtarësimi në BE kërkon plotësimin e kritereve dhe kushteve të gatishmërisë për t’u bërë pjesë e “asaj skuadre” evropiane.

Në këtë linjë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka konfirmoi se roli i bashkive është qendror në këtë rrugëtim. Ajo shpjegoi se 70% e ligjeve të BE-së kanë ndikim direkt në nivelin vendor ose bazohen në veprimtarinë e bashkive, qyteteve dhe fshatrave.

Nga 35 kapitujt e negociatave, 23 fusha janë të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe rolin e pushtetit vendor, duke përfshirë ekonominë, bujqësinë, sigurinë ushqimore, transportin, mjedisin dhe shërbimet sociale.

Dhuka theksoi se bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe bashkive do të jetë kyç për transformimin që do të sjellë standardi i BE-së, si në infrastrukturë ashtu edhe në biznes, duke hapur tregun prej 450 milionë konsumatorësh dhe duke ofruar mundësi të reja financimi përmes fondeve evropiane.

Sfidat mjedisore dhe modeli i Beratit

Një nga pikat thelbësore të diskutimit ishte trajtimi i mbetjeve, një sfidë e madhe për shumë bashki shqiptare. Kryeministri Rama u bëri thirrje kryebashkiakëve të fokusohen në ndarjen në burim për riciklim dhe ripërdorim, duke e quajtur atë një kalim nga “fshati në qytet” në kuptimin evropian. Ai solli si shembull pozitiv Bashkinë Berat, e cila ka ndërtuar një pikë “shumë mbresëlënëse” riciklimi për mbetjet urbane, duke theksuar se nuk është një “shkencë e madhe” për t’u zbatuar.

Diaspora dhe ekspertiza e huaj

Për të rritur kapacitetet e bashkive dhe për të adresuar boshllëqet në hartimin e projekteve, Kryeministri Rama propozoi krijimin e një strukture të posaçme jashtë vendit. Kjo nismë synon të përfshijë shqiptarët e diasporës dhe ekspertët e huaj në përmirësimin e efikasitetit të qeverisjes vendore.

“Duhet të krijojmë një krah të SASPAC jashtë Shqipërisë, të përfshijmë shqiptarët që janë në diasporë dhe që janë mjaftueshëm të ditur dhe të janë të gatshëm të punojnë për bashkitë në Shqipëri, shkrues të projekteve dhe si bashkëpunëtorë me këto bërthamat dhe kabinetin e kryetarit të bashkisë,” shpjegoi Rama.

Ai sugjeroi caktimin e një fondi për pagesën e këtyre bashkëpunëtorëve të jashtëm, duke sjellë si shembull Fushë Arrëzin, i cili mund të shfrytëzojë kapacitetet e diasporës për të plotësuar nevojat e tij. Përveç kësaj, Rama kërkoi eksplorimin e mundësisë së bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së për të atashuar ekspertë të huaj pranë bashkive, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve për shkrimin dhe zbatimin e projekteve.