“Shqipëria do të përfitojë shumë”, ish-kryeministri polak për RTSH: Duhet ende shumë punë për të hyrë në BE

Polonia nxit Shqipërinë dhe punon së bashku me të për ta shoqëruar në rrugën e anëtarësimit europian, duke i dhënë shembuj edhe nga procesi i saj integrues.
Ish-kryeministri polak Marek Belka, i ndodhur në Tiranë pikërisht në një forum për të mbështetur Shqipërinë, thekson se procesi i integrimit dhe negociatat e anëtarësimit janë të vështira: është një rrugë e pashtruar, mund të krijojë edhe konflikte mes grupeve të ndryshme brenda vendit, por shpërblimi është fantastik.
“Të gjitha sakrificat e bëra do të shpërblehen në fund. Ky është mësimi kryesor. Kërkon edhe kohë. Në rastin e Polonisë, me sa mbaj mend, mori 13 vjet, por rritja ekonomike, përmirësimi i jetesës së njerëzve, janë shumë të mëdha. Kjo e pret edhe Shqipërinë. Mendoj se të mirat kryesore që marrim nga integrimi europian janë civilizimi dhe përparimi. Nganjëherë është e dhimbshme dhe e kushtueshme të përshtatësh ligjet e tua me ligjet e komunitetit, acquis communitaire, por ato përmirësojnë jetët tona, përmirësojnë funksionet e ekonomive tona. Nga ana tjetër ne marrim akses të plotë në tregun e përbashkët, që është gjigant. Në rastin e Shqipërisë mendoj se do të jetë e rëndësishme hyrja e kapitalit, jo thjesht turizmi, por kapitali prodhues. I rëndësishëm, po ashtu, është edhe kohezioni. Bashkimi Europian punon apo funksionon si një makineri gjigante, që bën të avancojnë edhe vendet e reja anëtarë me më pak influencë. Ne kemi përfituar nga këto dhe Shqipëria po përfiton ndërkohë prej tyre, sepse perspektiva e anëtarësimit është e qartë dhe do të përfitoni më shumë kur të jeni vend anëtar, që do të ndodhë brenda pak viteve,” deklaroi z. Belka.
Si një njohës i kërkesave të anëtarësimit, sidomos i atyre ekonomiko-financiare, ai nuk harron të nxisë për më shumë punë.
“Progresi juaj nga e shkuara te e sotmja është marramendës, shumë i madh, por a jeni ju gati plotësisht? Nuk jam shumë i sigurt. Kërkohen shumë përpjekje dhe nuk duhen vetëm ndryshime ligjore. Është edhe ndryshimi mendor dhe procesi i negociatave të anëtarësimit mund të përdoret si një ushtrim i mirë për të përmirësuar edhe jetën sociale, edhe politikën.
Nga njëra anë ju nuk keni nevojë për këshilla, sepse jeni kaq proeuropianë entuziastë dhe europianët dinë t’i bëjnë dallimet. Të gjithë do të donin që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, por sidomos të rinjtë duhet të jenë aktivë në ndryshimin e Shqipërisë. Të gjithë duhet të bëjnë durim dhe të mos shpresojnë te një mrekulli e çastit. Nuk ka shkop magjik, por në fakt ndryshimi do të jetë i mrekullueshëm, siç ndodhi me vendin tim. Pra jini të duruar, punoni shumë dhe shpërblimi do të jetë i madh,” u shpreh ish-kryeministri polak.
Z. Belka ishte në Tiranë në kuadër të presidencës polake të Bashkimit Europian.