Shqipëri- BE, hyn në fuqi zyrtarisht marrëveshja prej 50 milionë eurosh për energjinë në kuadër të IPA III

energjinë në kuadër të IPA

Ka marrë formë zyrtare ratifikimi nga Kuvendi i Shqipërisë i marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, e cila do të sigurojë 50 milionë euro për Programin Operacional Shumëvjeçar për Energjinë për periudhën 2024–2027. Kjo marrëveshje, e cila është botuar të enjten në Fletoren Zyrtare, është pjesë e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), që synon të mbështesë sektorin energjetik shqiptar në rrugën e tij drejt standardeve të BE-së.

Detajet e marrëveshjes së financimit

Marrëveshja, e nënshkruar nga Komisioni Evropian (duke vepruar në emër të Bashkimit Evropian) dhe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përcakton kuadrin e financimit dhe zbatimit të programit.

Financimi bëhet nga buxheti i Bashkimit sipas Instrumentit të Ndihmës së Paraaderimit (IPA III).

Kostoja dhe kontributi financiar

Kostoja totale e përllogaritur e programit është 79,000,000 euro. Kontributi maksimal i Bashkimit Evropian është 50,000,000 euro.

Kontributi i Bashkimit do të ndahet në angazhime vjetore për periudhën 2024–2027, siç detajohet në aneksin I të marrëveshjes. Theksohet se angazhimi financiar i Bashkimit është i kushtëzuar nga miratimi i buxhetit të BE-së. Programi kërkon gjithashtu një kontribut financiar edhe nga vetë Shqipëria.

Periudha e zbatimit dhe monitorimi

Periudha e ekzekutimit e kësaj Marrëveshjeje Financiare fillon me hyrjen në fuqi të saj dhe do të përfundojë 12 vjet pas kësaj date.

Periudha e pranueshmërisë për shpenzimet do të fillojë në datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe do të përfundojë më 31 dhjetor 2033.

Komisioni do të çlirojë automatikisht çdo pjesë të angazhimit buxhetor që nuk është përdorur deri më 31 dhjetor të vitit të pestë pas angazhimit, përveç rasteve të veçanta si pezullimi i operacioneve apo pamundësia e bërjes së një kërkese pagese për shkak të forcës madhore.

Programi do të zbatohet në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes Kuadër të Partneritetit Financiar (FFPA) ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, e cila hyri në fuqi më 14 tetor 2022, dhe shërben si një kuadër i përgjithshëm për menaxhimin e ndihmës financiare të BE-së.

Kjo marrëveshje financiare shënon një hap të rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë në sektorin e energjisë, një fushë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian.