Shpërthimi në Zubin-Potok, Kurti akuzon Serbinë se orkestroi “sulmin terrorist”
Një shpërthim i fuqishëm mbrëmjen e 29 nëntorit shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike.
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme akuzoi fqinjin verior, Serbinë, për nxitje të sulmit “kriminal e terrorist, i cili ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishmen që kemi“.
“Vetëm ditëve të fundit patën mësyrë me granata dore në stacionin policor në Zveçan, më 26 nëntor. Mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objektit të Komunës së Zveçanit e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin-Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike,” tha z. Kurti.
Autoritetet kosovare besojnë se sulmi “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesin dhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla“. Sipas Kurtit, synimi i këtyre veprimeve është të nxitet frika dhe pasiguria në tri komunat në veri për të përshkallëzuar situatën në mbarë vendin.
Shefi i qeverisë informoi se pas konferencës do të takohet me komandantin e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Edhe presidentja Vjosa Osmani fajësoi për sulmin bandat kriminale me lidhje me Serbinë. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë qetësi e maturi derisa të zbardhet ngjarja.
“Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike,” shkroi znj. Osmani në Facebook.
Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së e dënuan sulmin.
“Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë,” njoftoi ambasadori europian Aivo Orav në platformën X.
Si pasojë e dëmtimeve në ujësjellës, disa zona u zgjuan të shtunën pa ujë të pijshëm. Kompania rajonale e ujësjellësit ftoi qytetarët të sigurojnë rezervat me ujë. Operatori i Sistemit Energjetik informoi se furnizimi me energji elektrike nuk është ndërprerë në territorin e Kosovës.
Kanali i Ibër-Lepencit shtrihet në një gjatësi prej 49 kilometrash nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë, duke furnizuar me ujë 7 komuna në jug dhe në veri të lumit Ibër, si Mitrovica e Veriut dhe Jugut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skënderaj dhe një pjesë e Prishtinës. /RTK, REL