Shpërthimi në Shkodër mister / Antiterrori ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike
Shkaku i shpërthimit të ndodhur një ditë më parë në zonën e Perashit në Shkodër, nga i cili humbi jetën 67 vjecari Hysni Ymeri ende mbetet i paqartë.
Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me mates elektrik me tension deri në 400 volt që teorikisht dhe teknikisht sipas OSHEE është e pamundur që të sjellin atë shpërthim aq të fuqishëm.
Ndërkohë, grupi i antiterrorit, i cili erdhi nga Tirana ka kryer kçyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike.
Analiza kimike është ajo që do ta përcaktojë nëse ka patur apo jo tritol.67 vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër.
Në fillim vitet ’90 në lagjen Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës që humbi jetën një ditë më parë . Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.
Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.
