Shpërthim i kontrolluar në Theth, shembet ndërtesa e fundit, aksioni 8-ditor përfundon me 70 objekte të shembura
Aksioni i qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit ka përfunduar të martën me shembjen e ndërtesës së fundit përmes një shpërthimi të kontrolluar. Pas disa orësh punë intensive nga forcat xhenio, të cilat montuan me kujdes kallëpet e eksplozivit, shpërthimi i komanduar u krye me sukses, duke i dhënë fund një operacioni 8 ditor.
Gjatë kësaj periudhe, rreth 70 objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme brenda zonës së mbrojtur të Thethit janë shembur. Ky aksion i gjerë synon rivendosjen e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e vlerave natyrore dhe të peisazhit të një prej perlave të turizmit malor në Shqipëri.
Pas përfundimit të fazës së prishjes, puna do të fokusohet tani në pastrimin e inerteve dhe sistemin e zonës. Kjo do të hapë rrugën për rikuperimin e mjedisit natyror dhe rikthimin e zonës në gjendjen e saj origjinale, duke garantuar mbrojtjen afatgjatë të Parkut Kombëtar të Thethit.




