Shpërthen fabrika e fishekzjarreve në Itali, humb jetën 18-vjeçari shqiptar, mes viktimave dhe 2 italiane
Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë të paligjshme fishekzjarrësh në Itali ka shkaktuar vdekjen e 3 persona, mes të cilëve edhe të një 18-vjeçari shqiptar.
Tragjedia ndodhi pasditen e djeshme në via Patacca, një zonë rurale në kufirin me San Giorgio a Cremano.
Tre viktimat e konfirmuara sipas mediave italiane, janë 18-vjeçari shqiptar SamuelT. dhe dy motrat 26 vjeçare me origjinë italiane, Sara dhe Aurora E..
Sipas të afërmve, tre të rinjtë e kishin ditën e parë të punës në fabrikën ilegale dhe po konsumonin drekën në momentin e shpërthimit.
Sipas informacioneve paraprake, nuk ka pasur shpërthime të vogla, por vetëm një shpërthim i madh.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë zjarrfikësit, ambulanca 118 dhe karabinierët. Zona u izolua për të vijuar me hetimet.
Kryetari i bashkisë së Ercolano, Ciro Buonajuto, deklaroi se: “Nuk ka kërkesa për autorizim për një fabrikë fishekzjarre. Ne jemi duke kryer kontrolle të mëtejshme”.
Anna C., vjehrra e Samuelit ka deklaruar se vajza e saj 17-vjeçare e njihte prej një viti dhe ata kishin krijuar një familje në Ponticelli, një lagje në periferi lindore të Napolit. Samueli kishte vetëm 5 muaj që ishte bërë prind.