Shkodra, qyteti gjithnjë e më shumë i preferuar nga turistët
Shkodra po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj, në veri të Shqipërisë.
Gjatë muajve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e vizitorëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët vijnë për të eksploruar historinë, kulturën dhe natyrën që ofron ky qytet.
Atraksione si Kalaja e Rozafës, muzeumet, rrugicat karakteristike të qytetit të vjetër dhe Liqeni i Shkodrës janë ndër më të frekuentuarat nga turistët.
Gjithashtu, shumë prej tyre shprehin interes për turizmin natyror dhe aventurën, duke zgjedhur të eksplorojnë Alpet Shqiptare përmes itinerarit Shkodër-Theth-Valbonë.
“Quhem Niklas dhe vijmë nga Gjermania. Për mua është hera e dytë që e vizitoj Shkodrën. Është një qytet i bukur, pranë maleve shqiptare. Perfekt për ecje në natyrë ose për të vizituar Lumin e Shalës. Ndërkohë qytetarët shkodranë janë shumë të sjellshëm. Me kënaqësi do t‘ia rekomandoj Shkodrën miqve të mi”.
“Silvia nga Gjermania! Shkodra është shumë e bukur, por ka qenë shumë nxehtë këto dy ditë. Kemi vizituar Kalanë Rozafa dhe Lumin e Shalës, ku kemi notuar në ujërat e kristalta dhe kemi kaluar shumë bukur”.
“Jam George, vij për herë të parë në Shqipëri, jam nga Anglia dhe ka dy ditë që kam ardhur në Shkodër. Kam udhëtuar nga jugu i Shqipërisë drejt veriut dhe vendosa të ndalem edhe në Shkodër. Jam impresionuar nga njerëzit që kam takuar, janë shumë miqësor. Është një qytet shumë i këndshëm. Shqipëria është një vend vërtet i bukur.”
Kjo valë e re e vizitorëve po ndihmon jo vetëm në promovimin e imazhit të qytetit, por edhe në zhvillimin ekonomik të tij.
