Shkodra, magnet për turistët gjatë gjithë vitit. Kalaja e Rozafës dhe Ura e Mesit destinacionet më të vizituara
Kalaja e Shkodrës dhe Ura e Mesit janë dy nga destinacionet që po tërheqin më së shumti turistë, si vendas ashtu edhe të huaj.
Gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në periudhën e festave, këto monumente historike vizitohen nga qindra vizitorë që zgjedhin Shkodrën për të zbuluar historinë dhe bukuritë e saj kulturore.
Turistët shprehen të impresionuar nga pamja madhështore e Kalasë së Rozafës dhe arkitektura karakteristike e Urës së Mesit, të cilat ofrojnë jo vetëm vlera historike, por edhe panoramë mbresëlënëse.
“Për mua është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam dashuruar shumë me këtë vend. Kalaja, natyra dhe klima qenkan me të vërtetë mrekulli”
“Erdhëm për të vizituar këtë vend dhe kemi mbetur të befasuar sidomos nga njerëzit të cilët janë shumë miqësorë. Do të ngjitemi për të shikuar kalanë por edhe vende të tjera”
“Një vend i bukur, me male mahnitëse. Ndërsa Ura e Mesit qenka shumë antike dhe e bukur. Dy ditë të paharrueshme për mua në Shkodër e Tiranë”, u shprehën disa nga turistët.
Me interesin gjithnjë në rritje të vizitorëve dhe me pasurinë e saj historike e kulturore, Kalaja e Shkodrës dhe Ura e Mesit mbeten pika kyçe të turizmit në veri të vendit, duke e kthyer Shkodrën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

