Shkodra drejt mobilitetit të zgjuar / Firmoset akt-marrëveshja për zbatimin e projektit ndërkombëtar SMARTMOBAIR
Në mjediset e Këshillit të Qarkut Shkodër, mori zyrtarisht jetë implementimi i projektit SMARTMOBAIR në territorin e Bashkisë Shkodër.
Projekti, pjesë e një iniciative rajonale që përfshin shtatë vende në rajonin Adriatik–Jonian, synon të sjellë Shkodrën në standartet më të mira europiane për menaxhimin e trafikut dhe cilësinë e mjedisit. Akt- marrëveshja u nënshkrua nga kryetari Edmond Ndou, nënkryetari i bashkisë Alban Preka dhe përfaqësuesi i kompanisë së transportit publik Melidion Dervishi, në praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit, si dhe kompanive të tjera që operojnë në territor.
Në fjalën e tij, Ndou e cilësoi një hap të rëndësishëm këtë që po hidhet, që i bashkohet punës së nisur më herët nga Bashkia, me finalizimin e planit të mobilitetit të Shkodrës.
Autoritetet nënvizuan rëndësinë e përfshirjes aktive të qytetarëve në këtë proces, duke e bërë lëvizjen me këmbë, biçikletë dhe transport publik jo vetëm alternativë, por edhe zgjidhje kryesore.Projekti që zbatohet për Shqipërinë në kryeqëndrën e veriut, synon ta kthejë Shkodrën në një qytet model për mobilitetin e zgjuar urban.
