Shkodër, shpërthim me lëndë plasëse në një biznes reklamash

Screenshot-2025-12-09-230314

Qetësia e mbrëmjes është prishur në qytetin e Shkodrës, ku një shpërthim është regjistruar pak para mesnatës.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 në lagjen “Skënderbeg”. Objektivi i sulmit dyshohet se ka qenë një subjekt privat që operon në fushën e reklamave.

Autorë ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde plasëse te dera e jashtme e biznesit. Nga shpërthimi, fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por raportohen vetëm dëme materiale në fasadën dhe hyrjen e subjektit.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca policie dhe grupi hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit, ekspertët po punojnë për të mbledhur prova materiale dhe për të këqyrur kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti.