Shkëmbim i ri robërish mes Rusisë dhe Ukrainës, pjesë e marrëveshjes në Stamboll

robërish mes Rusisë dhe Ukrainës

Rusia dhe Ukraina bënë të enjten (19 qershor) me dije se kanë përmbushur me sukses një tjetër shkëmbim robërish lufte, pjesë e një marrëveshjeje që u arrit mes tyre gjatë bisedimeve që u mbajtën në Stamboll të Turqisë në fillim të këtij muaji dhe gjatë të cilave dy vendet ranë dakord të shkëmbenin më shumë se një mijë ushtarë, të plagosur, të sëmurë apo nën moshën 25 vjeç, secili.

“Njerëzit tanë po kthehen në shtëpi,” u shpreh në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, por pa bërë me dije se sa robër lufte u shkëmbyen sot.

Agjencia e qeverisë ukrainase që mbikëqyr procesin e shkëmbimit bëri të ditur se bëhej fjalë për ushtarë të sëmurë rëndë dhe të plagosur.

“Pjesa më e madhe e ukrainasve që u zunë rob nga rusët në muajt e parë të pushtimit rus kanë zhvilluar gjendje dhe sëmundje të rënda, si distrofi, ulçera, probleme me shikimin, apo edhe sëmundje kardiovaskulare,” shpjegoi agjencia.

Shkëmbimi i pengjeve u konfirmua edhe nga Ministria Ruse e Mbrojtjes, e cila shpërndau pamje të ushtarëve rusë të kthyer në vendin e tyre.