Shkarkime në Koman e Vaun e Dejës / Moti i keq, probleme në disa fshatra të M. Madhe
Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.
Komisioni i Emergjencave civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës dhe, deri më tani, nuk është evidentuar asnjë problematikë.
Situata nuk paraqet rrezik, derisa prurjet të mos kalojnë 1500 metër kub. Favor tjetër është Fierza, e cila aktualisht nuk po prodhon energji elektrike dhe as nuk po shkarkon me qëllim ruajtjen e rezervës ujore.
Në Fierzë, kuota është 281 metra nga 296 dhe prurjet janë 1400 metër kub në sekondë.
Gjatë gjithë natës në Malësi të madhe kanë vijuar reshje shiu me intensitet mesatar, të cilat vazhdojnë edhe aktualisht.
Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të Përroit.
Raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të Bashkisë Malësi e Madhe,konkretisht në Kelmend, Shkrel.
Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen Kapedani në Vaun e Dejës.
Në Fushë Arrës janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale.
Sipas informacioneve nga kontraktorët e mirëmbajtjes së akseve që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve nuk ka problematika në qarkullimin rrugor.
Akset Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh kalohen me goma dimërore dhe zinxhirë.
