Shkaktoi ndotje në lum / Policia e Shkodrës procedon punonjësin e kompanisë së përpunimit të mishit të pulës

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka sqaruuar opinionin publik se është proceduar një 31-vjecari i cili shfaqet me një automjet me logon e një kompanie, nga i cili hidhen mbetje në lumin Buna.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kryer veprimet hetimore për rastin dhe kanë identifikuar shtetasin K. Gj., i cili shfaqet në video, duke hedhur nga automjeti në lumë, mbetje të kompanisë ku ai punon, e cila ka si veprimtari përpunimin e mishit të pulës.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në penal për shtetasin K. Gj., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon mediat dhe qytetarët, për denoncimet dhe bashkëpunimin me Policinë, dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë rastet e dhunës dhe të çdo lloj paligjshmërie, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.