Shirokë- Zogaj drejt transformimit të plotë / Mbi 90% e gjatësisë së rrugës e hapur, 80% e strukturave mbajtëse drejt përfundimit

shiroke zogaj trasformim

Rruga panoramike Shirokë–Zogaj po i nënshtrohet një transformimi të thellë, duke kaluar nga një aks i ngushtë dhe i amortizuar në një rrugë moderne, funksionale dhe të sigurt.

Ky investim strategjik pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe në zhvillimin e turizmit përgjatë liqenit të Shkodrës. Banorët e zonës e kanë mirëpritur këtë ndërhyrje të shumëpritur, duke theksuar se perspektiva e zhvillimit tashmë ka nisur të ndjehet.

Aktualisht, punimet janë në një fazë të avancuar.

 Janë realizuar thuajse të gjitha gërmimet dhe mbushjet përgjatë gjatësisë së rrugës, ndërsa mbi 80% e strukturave mbajtëse janë drejt përfundimit.

Traseja është e hapur në rreth 90% të gjatësisë, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin gjatë kohës së ndërtimit.

Njëkohësisht, ka nisur vendosja e shtresave rrugore, ndërsa po vijon edhe sistemimi i ujërave të bardha, një masë kyçe për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet gjatë stinës së reshjeve.

Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu zhvendosjen e linjave ekzistuese të tensionit dhe të ujësjellësit.

Pjesë integrale e projektit është edhe ndërtimi i sistemit KUZ, që siguron kanalizimin dhe kullimin e ujërave.

 Deri më tani, është realizuar mbi 35% e kësaj linje.