Shirat dhe përmbytjet, Berisha: Të shpallet urgjent gjendja e fatkeqësisë natyrore
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në disa qarqe të vendit, duke kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se familjet shqiptare kanë pësuar dëme shumë të rënda nga përmbytjet, ndërsa vetëm në qarkun e Durrësit, sipas tij, rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera janë prekur nga uji. Ai theksoi se dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në qarqe të tjera të vendit, nga Gjirokastra deri në Shkodër.
Sipas Berishës, situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, ndërsa ka kërkuar shpalljen urgjente të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura.
“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet.
Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme.
Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.
Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama për indiferencë dhe mungesë reagimi, duke deklaruar se mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore shmang detyrimin ligjor për kompensimin e dëmeve.
