Shfrytëzimi i hapësirës publike në Theth, Rama: Prokurorja nuk nisi hetimet, rasti t’i dërgohet KLP
Kryeministri Edi Rama ka bërë publik vendimin e një prokuroreje e cila sipas tij ka “mbyllur sytë” përpara një krimi mjedisor.
Kreu i qeverisë sqaron se prokurorja Gjeli nuk ka nisur hetimet ndaj rastit të referuar prej Inspektoratit dhe Policisë ndaj zaptimit të hapësirës publike që i është bërë Thethit nga një individ.
Për Ramën, vendimi i prokurores, përbën vepër penale, e për këtë arsye ai theksoi se çështja e saj do i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Ai komunitet njerëzit, e turistësh, ndihet i përdhunuar nga një individ që në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik pa leje.
Për zonjën Gjeli, kjo nuk përbën vepër penale, ajo është vetëm një kulminacion i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra nga vendime skandaloze prokurorësh.
I kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli e cila ka lënë në baltë shtetin, qytetarët, dhe të gjitha strukturat që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe e cila është e padenjë për tu paguar nga taksapaguesit shqiptar. Çështja e saj të çohet në KLP i cili duhet të shohë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale Republikës së Shqipërisë. Të gjykojë nëse znj. Gjeli është e denjë të paguhet si prokurore”, thekson Rama, ndërsa paralajmëroi të gjithë prokurorët që kanë dhënë vendime të padrejta dhe të jashtëligjshme se do të përballen me drejtësinë.
“Ky është rasti i parë që do pasohet nga të tjerë sa herë ndeshemi me prokurorë territoresh që paguhen më shumë se të tjerë punonjës policie e mësues, e tradhtojnë me paturpësi interesat e Republikës së Shqipërisë”, shtoi ai.
Në videomesazhin e tij në rrjetin social Facebook, pas përfundimit të takimeve në Bashkinë e Vlorës, Rama u ndal dhe te problematikat që po has në këtë qark.
Ai bëri me dije një tjetër rast të një prokurori që sipas tij ka vënë në sekuestro për falsifikim prone, pronat shtetërore te Pylli i Sodës. Sipas Ramës sekuestro po zgjat prej vitesh, duke u bërë kështu shkak për bllokimin e projektit “Vlora Sport”.
“Në Vlorë, vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë aty me 9 deputetë, po ju jap një fakt se si na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin “Vlora Sport” te pylli i sodës në truall tërësisht shtetëror, sepse një prokuror ka vënë në sekuestro për falsifikim prone pronat shtetërore përkatëse, por sekuestro zgjat prej vitesh të tëra dhe të tilla ka plot”, përfundoi Rama.
