Shërbimet e- Albania falas / Ofrohen nga Bashkia e Shkodrës për të gjithë qytetarët

alban preka bashkia e albania

Që nga dita e sotme, të gjitha shërbimet e platformës e-Albania do të ofrohen me asistencë falas pranë një sporteli të dedikuar në ambientet e Bashkisë Shkodër.

Ky shërbim vjen pas udhëzimit të Ministrisë së Drejtësisë për mbylljen e të gjitha zyrave private që ofronin asistencë për këto shërbime.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se ky sportel i ri është krijuar për të garantuar ndihmë profesionale dhe të paanshme për çdo qytetar.

Shërbimi do të ofrohet nga një staf i kualifikuar, i cili do të asistojë qytetarët në përdorimin e platformës, si pjesë e angazhimit për një administratë më transparente dhe më pranë qytetarëve.

Ky vendim bazohet në udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë, i cili ka theksuar se ofrimi i ndihmës për shërbimet e e-Albania duhet të jetë falas, pa pagesë, dhe vetëm nga institucione publike, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe tarifat e pajustifikuara të zyrave private.