Shembja e ndërtimeve pa leje në Theth, Rama: S’kemi prerë në besë askënd, individë që as nuk janë banorë të vendit

Theth, Rama

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave lidhur me shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Gjatë takimit me deputetët e Tiranës, Rama tha se në Theth janë prishur 40 objekte pa leje, teksa theksoi se pronarët e tyre, sipas tij, nuk janë as banorë të zonës. Kryeministri tha se bëhet fjalë për ndërtesa për qëllime fitimi, teksa shtoi se policia ka nisur hetimet për të zbuluar se “kush është mbrapa pushtimit të zemrës së Thethit”.

Nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, bëhet fjalë për individë të cilët janë ngjitur deri atje dhe në një masë të konsiderueshme të rasteve nuk janë banorë të atij vendi dhe rasti flagrant që u bë shkak janë individë që as janë shfaqur të pretendojnë asgjë. Policia po heton si ka ndodhur dhe kush është mbrapa pushtimit të zemrës së Thethit dhe bëhet fjalë për ndërtime të cilat nuk janë për të futur kokën, po janë për qëllime fitimi. Nuk e di të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit duke ja ngarkuar fajin strukturave të shtetit nëse nuk e kapin shkelësin në sekondën kur ai fillon bën shkeljen. Mbetet për të parë se çfarë përgjegjësie do të marrë KLP lidhur me zonjën Gjeli e cila nuk ka pranuar të fillojë as hetimet bazuar në denoncimet e bëra. Në Theth janë goditur 40 objekte dhe Policia ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në prokurori lidhur me këto objekte dhe prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hetim”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se premtimi i qeverisë në Theth ka qenë legalizimi i shtëpive të vjetra, premtim për të cilin thotë se është mbajtur.

Ne kemi shkuar në Theth dhe kemi premtuar legalizimin e të gjitha shtëpive të vjetra në Theth, gjë që ishte problemi kryesor, ne e kemi përmbyll atë proces me rreth 300 legalizime. Pretimi ynë ka qenë do legalizojmë pronën e gjyshërve dhe kurrë na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje. Të gjitha ndërtimet që janë prishur janë ndërtime të bëra në muajt e fundit, nuk janë ndërtime të kohës kur ne kemi qenë aty. Ndërtime nga individë që s’kanë lidhje fare me Thethin. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që kanë dalë në televizor për të bërë zhurma, por një grup njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me këtë histori”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se qeveria do të vijojë të mbështesë ata që kanë prona në veri të vendit, por me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse.

Kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se nuk do të ketë asnjë tolerancë lidhur me ndërtimet pa leje.

Historia ndërto sot që të legalizosh nesër, nuk do të eci më. Të gjitha ngrehinat  e ngritura për qëllim fitimi apo në cenim të hapësirë publike, infrastrukturës publike, zonave të mbrojtura, infrastrukturës kritike, do të rrafshohet. Nuk do të ketë asnjë tolerancë, asnjë dialog. E gjithë skuadra e deputetëve të jenë pranë komuniteteve dhe në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve që pengohen çdo ditë në jetë e tyre komunitare nga ata që kanë pushtuar hapësirat publike”, deklaroi ai.

Ndalur te kryeqyteti, Rama tha se po mblidhen informacione për të gjithë territorin, teksa shtoi se është ngritur edhe një grup prej 80 arkitektësh që do të projektojnë ripërtëritjen e hapësirave që do të lirohen.

Kjo do të jetë rilindja urbane 2.0 në Tiranë dhe të gjithë qytetet e mëdha”, theksoi ai.

Kryeministri kërkoi vijimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, teksa shtoi se lidhur me këtë problematikë do të bëhet edhe një akt normativ.

Shkodra, Lezha, Durrësi, Tirana, Vlora, Fieri, Elbasani, Korça, në vijën bregdetare nuk po i numëroj të gjitha njësitë, duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë dhe tentativave për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar  territor. Do të jetë jo e lehtë, por do të vazhdojë deri aq sa duhet të vazhdojë. Hapësira publike është e përbashkët dhe duhet vënë përfundimisht kufiri edhe në një aspekt tjetër, nuk ka pronë private  rreth e përqark një pallati të ri. Leja e ndërtimit jepet për këtë ndërtim mbi një territor. Në momentin kur ti ke ndërtuar, pjesa rreth e rrotull është e jotja saç është edhe e banorëve të tjerë. Nuk mund të ketë trotuar privat. Do bëjmë një reformë dhe shumë shpejt, mbase për shkak të emergjencës për këtë dhe ujin e pijshëm. Do na duhet të bëjmë deri akt normativ dhe ato 83 mandate do t’i vëmë në shërbim të qytetarëve që kërkojnë kapërcim përfundimtar nga Shqipëria Europiane në mendje, te Shqipëria anëtare e BE.  Në këtë aspekt po bëjmë gjënë e duhur dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë”, deklaroi ai.