Shefi i OKB-së, Guterres sulmon 1%-shin e pasur dhe shkelësit e ligjit ndërkombëtar
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka nisur vitin e tij të fundit në krye të organizatës me një sulm frontal ndaj fuqive të mëdha dhe elitës financiare globale. Në fjalimin e mbajtur sot para Asamblesë së Përgjithshme, Guterres paralajmëroi se bota po rrëshqet drejt kaosit për shkak të “shkeljeve të paturpshme” të ligjit ndërkombëtar.
Pa dorashka diplomatike, Guterres kritikoi standardet e dyfishta të superfuqive. Ai dënoi sërish pushtimin e Ukrainës si shkelje e Kartës së OKB-së.
Në një referencë të drejtpërdrejtë për zhvillimet e fundit të Janarit 2026, Guterres kritikoi operacionin ushtarak amerikan në Venezuelë për kapjen e Presidentit Nicolás Maduro, si dhe sulmet ndaj anijeve në ujërat ndërkombëtare.
“Kur udhëheqësit zgjedhin se cilat rregulla të ndjekin, ata jo vetëm që minojnë rendin global, por krijojnë një precedent të rrezikshëm,” tha Guterres.
Pabarazia
Një pjesë e madhe e fjalimit iu kushtua hendekut ekonomik. Guterres e quajti faktin që 1% e më të pasurve zotërojnë 43% të aseteve financiare globale si “moralisht të pambrojtshëm”.
Sipas tij, ky përqendrim pasurie po u jep korporatave dhe individëve fuqi të pakontrolluar mbi ekonomitë, informacionin dhe madje edhe mbi rregullat që qeverisin botën.
Kriza financiare e OKB-së
Sekretari i Përgjithshëm nuk kurseu as administratën Trump lidhur me financat. Ai theksoi se mos-pagimi i detyrimeve të detyrueshme buxhetore nga SHBA-të gjatë vitit 2025 është një goditje e qëllimshme ndaj multilateralizmit.
“Disa kërkojnë ta vënë bashkëpunimin ndërkombëtar në pritje të vdekjes. Por mund t’ju siguroj: Ne nuk do të dorëzohemi,” përfundoi Guterres, mandati i të cilit mbyllet më 31 dhjetor 2026.
