SHBA sekuestron cisternën e pestë të naftës në Karaibe. Anija Olina bie në duart e forcave amerikane
Forcat amerikane kanë ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak në Karaibe, duke sekuestruar cisternën e pestë të naftës të lidhur me Venezuelën.
Anija Olina, e cila dyshohet se mbante flamurin e rremë të Timorit Lindor dhe kishte lundruar më parë nga Venezuela, u kap pranë brigjeve të Trinidadit.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se operacioni është pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të kontrolluar eksportet e naftës venezueliane, ndërsa Presidenti Donald Trump paralajmëroi se “tani do të fillojmë të godasim tokën” pas disa aksioneve të mëparshme kundër anijeve që akuzohen se transportonin drogë drejt SHBA-së.
Javën e kaluar, Trump urdhëroi bastisjen për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët tashmë përballen me akuza federale për narkoterrorizëm, trafik droge, pastrim parash dhe komplot.
Të dy u transferuan me helikopter në Manhattan për një paraqitje të parë në gjykatë. Ndërkohë, kompania britanike e menaxhimit të riskut Vanguard raportoi se sistemi i gjurmimit AIS i cisternës Olina ishte aktiv për herë të fundit 52 ditë më parë në zonën ekonomike ekskluzive të Venezuelës, në verilindje të Curacaos.
Ky operacion i ri tregon përshkallëzimin e tensioneve mes SHBA-së dhe Venezuelës, ndërsa administrata Trump duket e vendosur të ndërhyjë jo vetëm në trafikun e drogës, por edhe në kontrollin e burimeve energjetike të vendit.
