Sezoni turistik, Policia plan masash: Nga 16 qershori deri më 15 shtator, kufizim i mjeteve të rënda në fundjavë dhe festa zyrtare

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë sezonit turistik. Në këtë kuadër, nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.
Gjithashtu, pas pajisjes së punonjësve të policisë me aparate të matjes së zhurmave, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës.
Ndërkaq, shërbimet e policisë po vijojnë operacionin “Plazhi i lirë” për për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme.
Këto masa kanë për synim sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore; lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar; parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale; zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës; si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare. Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë të cilat do të kompensohen sipas legjislacionit përkatës.
Në funksion të planit Policia bën me dije se janë vënë në dispozicion dhjetëra automjete dhe motomjete për rritjen e gatishmërisë dhe reagimit të shpejtë; punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe, për forcimin e policimit komunitar dhe për t’iu ofruar ndihmë pushuesve; njësia Policore Detare për kontrollin dhe ndëshkimin e lundrimeve të rrezikshme brenda zonave të ndaluara; si dhe dronë që do të përdoren nga shërbimet policore për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.