Sezoni turistik- Nga zaptimi i hapësirave publike te ndotjet mjedisore, Policia aksion në Tiranë, Vlorë, Lushnje, Sarandë e Shkodër

Policia aksion

Shkeljet e perimetrit të sigurisë, ndotje akustike si dhe mjedisore, zaptimi i hapësirave publike në mënyrë të paligjshme janë disa nga shkeljet e konstatuara nga Policia e Shtetit gjatë operacionit “Plazhi i Lirë”.

Blutë bëjnë me dije se kanë konstatuar 16 raste të shkeljes së perimetrit të sigurisë, 5 nga të cilat janë denoncuar edhe nga qytetarët, në rrjete sociale.

Për këto raste, nga Velipoja në Ksamil janë bllokuar 16 mjete lundruese (13 Jet Ski dhe 3 skafe) dhe drejtuesit e tyre janë ndëshkuar secili, me masën administrative 100 000 lekë. 

Po ashtu, Policia ka sekuestruar 1230 komplete me çadra dhe shezlongë, nga Durrësi në Sarandë, dhe për këto raste janë proceduar penalisht 27 shtetas, për zënien e paligjshme të plazheve publike.

Gjithashtu, janë liruar 9 hapësira publike, 8 prej të cilave në Vlorë dhe 1 në Shkodër, që shfrytëzoheshin në mënyrë të paligjshme, kryesisht për parkim, kundrejt fitimit. Për këto raste janë proceduar penalisht 14 shtetas.   

Zënia e trotuareve nga automjetet ka qenë një tjetër problematikë në fokus të policisë. Në këtë kuadër, janë ngritur me karrotrec, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, dhe janë bllokuar në pikat e bllokimit, 98 automjete dhe 34 motomjete që ishin parkuar në vijat e bardha apo në trotuareve. 

Për ndotjen akustike, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet me aparatura matëse të certifikuara. Deri tani janë proceduar penalisht 15 shtetas, për tejkalim të kufijve të lejuar të zhurmës, kryesisht në zonat turistike. Gjithashtu, janë bllokuar  në disa qytete, kryesisht  në Tiranë dhe në Vlorë, 72 automjete dhe motomjete që gjeneronin zhurmë.

Janë evidentuar 11 raste të ndotjes së mjedisit tokësor dhe ujor, për të cilat janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar 9 të tjerë, në Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër.