Sesioni i ri parlamentar, Balla pret ambasadorin Gonzato: Në tryezë Reforma Zgjedhore dhe Territoriale
Nisja e sesionit të ri parlamentar është shënuar me një takim mes kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Në qendër të diskutimit ishte kalendari i ngjeshur i punimeve të Kuvendit, i cili këtë vit pritet të jetë vendimtar për disa nga reformat më të rëndësishme në vend.
Balla, në takim, konfirmoi se përveç shqyrtimit të një numri të lartë projektligjesh, Kuvendi do të ketë në fokus avancimin e dy reformave madhore: Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
Pjesë e bisedës ishte edhe procesi i integrimit. Balla theksoi se roli i Kuvendit në këtë fazë është kyç për të garantuar që Shqipëria të përmbushë detyrimet e saj.
“Diskutuam mbi avancimin e procesit të integrimit evropian me objektin tonë të qartë ngritjen e flamurit tonë kuqezi në oborrin e Brukselit deri më 28 nëntor 2030”, shkruan Balla në një postim në rrjetet sociale.
Numri një i grupit parlamentar socialist shprehu krenari për ecurinë e deritanishme, duke nënvizuar faktin se Shqipëria tashmë ka hapur të gjithë grupkapitujt (clusters) me Bashkimin Evropian.
“Krenar për Shqipërinë e cila ka hapur të gjitha grupkapitujt dhe vijon me vendosmëri drejt mbylljes së tyre, mbi bazën e meritës, reformave konkrete dhe vlerave evropiane”, shkruan Balla në reagimin e tij në rrjetet sociale pas takimit.
